Kosova

Vrasja e Liridonës Ademaj, dëshmon i vëllai në gjykatë: Fëmijët ishin dëshmitarë, e panë gjithçka

Shkruar nga Liberale.al

Vrasja e Liridonës Ademaj, dëshmon i vëllai në gjykatë:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dëshmuar sot Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës Ademaj, e cila u vra në mënyrë brutale në nëntor të vitit 2023. Ai tregoi se si e përjetuan ngjarjen fëmijët e motrës së tij dhe ndau detaje rrëqethëse nga takimi me ta në Suedi.

“Takimi me fëmijët ishte shumë prekës. Në praninë e psikologëve, më treguan se ishin në veturë në momentin e vrasjes. Djali më tha: ‘Hajni ja ka bërë mamit bam’ dhe përshkroi si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit”, tha Ademaj.

Ai u përball edhe me pyetjet e Naim Murselit, bashkëshortit të ndjerë dhe i akuzuar kryesor për vrasjen. Murseli e pyeti nëse Liridona ishte ankuar ndonjëherë gjatë martesës.

“Jo, nuk është ankuar. Vetëm disa muaj para ngjarjes na tregoi që ishte lënduar nga një tradhti e mundshme nga ana e tij, por ajo e kishte zgjidhur vetë këtë situatë”, u përgjigj Leonard Ademaj.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për motivet e përmendura në aktakuzë, çështje financiare dhe një sigurim jetësor në emër të Liridonës.

Leonard Ademaj deklaroi se pretendimet për tradhti ishin ngritur nga vetë Murseli, ndërsa për sigurimin jetësor kishte informacione të drejtpërdrejta.

“Ti vet i ke thënë babait: ‘Ja kam bërë një sigurim Liridonës, nëse i ndodh gjë, përfitojmë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç çështjes së tradhtisë, dy motivet e tjera i besoj plotësisht”, tha ai.

Seancat e ardhshme për këtë çështje janë caktuar për 22 shtator, si dhe më 6 dhe 10 tetor.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH