Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së lidhur me programin e Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.
Kurti thotë se siguria ndërkombëtare është e kërcënuar nga përhapja e armëve bërthamore dhe se vendi i tij qëndron në krah të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në kundërshtim të qartë ndaj përpjekjeve të Iranit për t’u pajisur me armë të tilla.
“Njerëzimi ka nevojë për më pak armatim nuklear, jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët. Sidomos kur janë regjime autoritare ato që zhvillojnë programe të tilla, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese,” shkruan Kurti në facebook.
Kurti theksoi se Kosova është në mbrojtje të vlerave demokratike dhe se përkrah qëndrimin e SHBA-ve.
“SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku ynë i veçantë. Kosova është fuqimisht e përcaktuar në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. SHBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur,” shkruan Kurti.
Deklarata e Kurtit vjen pas sulmeve që SHBA bëri ndaj Iranit lidhur me tre objekteve bërthamore, ku pretendon se ato janë dëmtuar rëndë.
Më herët SHBA tha se synon vetëm neutralizimin e programit bërthamor të Teheranit dhe ndryshimin e regjimit.