Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka dhënë disa këshilla për t’u mbrojtur nga kafshimet e gjarpërinjve, që zakonisht gjenden në vende të thata, pyje, pranë lumenjve, në grumbuj drunjsh dhe në vende të tjera të ngrohta.
Gjarpërinjtë zakonisht qëndrojnë të fshehur nga maji deri në shtator dhe sulmojnë vetëm nëse ndihen të kërcënuar. IKShPK këshillon të vishet me veshje të gjata dhe çizme kur ecet në natyrë dhe të përdoret shkop për të kontrolluar shkurret dhe gurët para se të hidhni hapin.
Gjithashtu, duhet të shmanget ecja në bar të lartë apo rrugë të papastra, të mbahen oborret dhe ambientet e pastra nga gurët dhe drunjtë ku mund të fshihen gjarpërinjtë, dhe të përdoret dritë dore gjatë natës.
Është e rëndësishme që të mos afroheni, të mos i ngacmoni apo vrisni gjarpërinjtë dhe të mos fusni duart në vrima apo nën gurë.
Në rast kafshimi nga gjarpri, IKShPK rekomandon të qëndroni të qetë, të mos lëvizni shumë, të mbani pjesën e kafshuar nën nivelin e zemrës dhe të kërkoni ndihmë urgjente pa prekur vendin e kafshimit.
Shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, por kafshimi nga nepërkat (një lloj gjarpri shumë helmues në Evropë) mund të jetë i rrezikshëm pa trajtim mjekësor.