Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se planifikon të ndërtojë dy ura të reja në qytetin e Mitrovicës, në të dy anët e urës kryesore mbi lumin Ibër. Këto ura do të lidhin Mitrovicën e Jugut, ku jetojnë kryesisht shqiptarë, me Mitrovicën e Veriut, ku jetojnë kryesisht serbë.
Kjo iniciativë vjen pas krijimit të një Bordi të Përbashkët mes dy komunave, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e projekteve që përmirësojnë jetesën e qytetarëve në të dy anët e qytetit.
Partia në pushtet, Vetëvendosje, publikoi edhe fotografi se si do të duken urat e reja. Ato do të ndërtohen pranë urës kryesore, e cila për momentin është e hapur vetëm për këmbësorë dhe është pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel.
Qeveria thotë se këto ura do të ndihmojnë në lëvizjen e qytetarëve dhe do të forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy pjesëve të qytetit.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me të dy komunat për realizimin e projekteve të infrastrukturës.
Por, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e kundërshtoi këtë projekt, duke thënë se është pjesë e një plani për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova – një akuzë e cila u hodh poshtë nga Qeveria e Kosovës.
Ura kryesore, e cila ndan qytetin në dy pjesë, është nën mbikëqyrjen e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë. KFOR-i tha se çdo vendim për hapjen e urës apo ndërtimin e të rejave duhet të bëhet në përputhje me dialogun Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ura kryesore mbi Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serb, është e hapur vetëm për këmbësorët.
Njoftimi i Qeverisë së Kosovës në korrik të vitit të kaluar se planifikon ta hapë këtë urë për trafik ngriti tensione dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është i vendosur në këtë urë. KFOR-i i tha Radios Evropa e Lirë asokohe se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret brenda kornizës së dialogut Kosovë-Serbi, i cili zhvillohet përmes Bashkimit Evropian.
Ata deklaruan se NATO e mbështet këtë dialog dhe se KFOR-i është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Kjo përfshin një prani të përhershme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.
Bashkimi Evropian gjithashtu kujtoi se çështja e hapjes së urës ishte tema e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se për këtë arsye të gjitha vendimet duhet të merren brenda dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Prishtinës dhe Beogradit./REL