Polis

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e diskutimit për identitetin europian

Shkruar nga Liberale

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e

Të ndryshëm, por gjithmonë në bashkëveprim proaktiv! Ky ishte mesazhi që prevaloi gjatë një bashkëbisedimi në Europe House, në eventin hapës të Javës së Europës, i cili bëri bashkë ambasadorë, ministra, përfaqësues të qeverisë shqiptare, artistë, profesorë e studentë të Universitetit Europian të Tiranës dhe Kolegjit të Evropës.

Nën moderimin e dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Evropian të Tiranës dhe Jean Monnet Chair, Prof. Dr. Belina Budini, të pranishmit i dhanë përgjigje jo vetëm temës së diskutimit, se cili është thelbi i identitetit evropian, por edhe cilat janë sfidat e unionit, ku shkojnë perspektivat e zgjerimit, si perceptohet Bashkimi Europian në shoqëri, cili është roli i universitetit dhe medias në krijimin e një kulture gjithëpranuese të vlerave që ndan kontinenti dhe unioni.

Si profesore, hulmutuese, por edhe eksperte e shkencave të komunikimit, Budini theksoi se ndërtimi i rrugës evropiane është një punë e përditshme, e cila krijohet nga çdo aktor shoqëror, nga universitetet, te qeveria, te ambasadorët, te aktorët e shoqërisë civile, të cilët janë pjesëmarrës aktivë në ndërtimin e një narrative gjithëpërfshirëse, të asaj se çdo të thotë të jesh evropian, jo vetëm në ndjenja dhe vlera apo diskurse historike abstrakte, shumë të rëndësishme, sigurisht, etj.

“Evropa nuk është një muze. Evropa është një projekt aktiv. Pra, të gjithë ne duhet të përfshihemi në një mënyrë më proaktive në punët tona të përditshme në mënyrë që të lidhim atë që është e rëndësishme dhe të bëjmë që ky projekt kolektiv të ecë përpara. Por edhe të sfidojmë veten duke kontribuar.”

Dekania nënvizoi se UET, i cili që në gjenezë mban emrin europian, nuk i ka reshtur përpjekjet për të kontribuar përmes studimeve, policy papers, ofrimin e rekomandimeve dhe sugjerimeve për ndryshime dhe zhvillime të reja. Në muajin shkurt, nën udhëheqjen e dekanes Budini dhe pedagogëve të UET, u prezantua studimi “Nga izolimi te integrimi”, që hedh dritë mbi narrativën mediatike në Shqipëri sa i përket integrimit në Bashkimin Europian.

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e

“Ne si universitet kemi përfshirë median në përpjekjet tona të përditshme në mënyrë që të ofrojmë një qasje gjithëpërfshirëse, sepse komunikimi i shkencës, komunikimi i njohurive është po aq i rëndësishëm për ne sa ndihma për politikat dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi,” u shpreh më tej Budini.

Duke folur mbi misionin e Kolegjit të Evropës, rektorja Federica Mogherini tha se qëllimi i këtij institucioni, i cili ka vetëm 32 studentë nga 21 kombësi të ndryshme, është që ata të vijnë të studiojnë në Shqipëri për të hedhur poshtë mitet, paragjykimet dhe për të qenë ambasadorë të Shqipërisë në vendet nga vijnë.

“Është gjithashtu për të treguar se mund të keni këtu në Shqipëri dhe në rajon të njëjtin arsim me cilësi të lartë që mund të keni në vende të tjera, duke shpresuar të kontribuoni në tërheqjen ose ritërheqjen e mendjeve të duhura. Dhe jo vetëm për të studiuar, por edhe për të qëndruar dhe për të kontribuar në këtë udhëtim masiv, që duket se do të shkojë shumë mirë drejt BE-së.”

Thelbi i identitetit europian

Ambasadorët e vendeve europiane në Shqipëri folën edhe për atë se çfarë është identiteti europian. Mikpritësi dhe organizatori i këtij eventi, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, tha se Java e Europës, e cila zhvillohet në datat 19-31 maj dhe përfshin mbi 30 aktiviteteve në 9 qytete të Shqipërisë, ka si qëllim shprehjen e identitetit europian përmes kulturës, fjalëve, muzikës apo bashkëbisedimeve.

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e

“Dua ta shohim Europën jo si një vend gjeografik, por si një përjetim që ne e ndajmë me imagjinatë kolektive. Çfarë na bashkon ne pavarësisht larmisë dhe diversitetit që ka Europa. Ta shohim si një vend, që jo vetëm e pranojmë larminë, por edhe e gëzojmë, e shijojmë atë.”

Federica Mogherini, e cila gëzon një background të gjatë politik, fillimisht në atë italiane e pastaj përmes detyrave si përfaqësuese e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë e më tej si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, foli gjatë mbi elementët që ndërtojnë dhe veçojnë identitetin e europianit, duke e bërë të ndryshëm e të veçantë nga pjesa tjetër e botës.

“Ajo që na bën europianë është mendimi se rregullat nuk janë kufizime, por garanci që të gjithë të kenë identitetin e tyre në një mjedis të respektueshëm. Kompleksiteti është një tjetër pikë e fortë që na bën europianë. Ne e kuptojmë, e analizojmë dhe kemi aftësi për ta ç’koduar të kaluarën.”

Pavarësisht se sot perceptohet si e thyer apo e përçarë për shkak edhe të luftës që ka prekur pragun e unionit, Mogherini tha se Europa ende se ka ndalur procesin e rritjes dhe maturimit, pavarësisht se është kontinenti më i vjetër.

“Së fundi po shohim se Europa po merr në konsideratë që zëri, politikat, instrumentet tona kanë vlerë dhe kanë rëndësi. Ne minimizojmë rolin tonë. Ndiejmë se jemi më pak se çmendojnë të tjerët se jemi. Mendoj se na takon neve për të qenë në partneritete, të jemi të mëdhenj, të vetëdijshëm për rolin dhe fuqinë që kemi në botë, jo në një mënyrë konkurruese, por në një mënyrë bashkëpunuese.”

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e

Për ambasadoren e Francës, Catherine Suard, vullnetarizmi është ai që karakterizon identitetin europian. “Europa dhe Bashkimi Europian nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që ndodhi. Ishte diçka që ndërtuam, diçka për të cilën vendosëm. Për mua, sot të qenit europianë ka të bëjë me të vendosurit se jemi në gjendje për të ndryshuar atë se çfarë është Europa dhe bota.”

Ambasadori i Spanjës, i emëruar prej gati një muaji në vendin tonë, Gabriel Cremades Ventura, tha se identiteti europian përshkohet nga vlerat, solidariteti dhe kohezioni. Sipas tij, BE ka ndjekur këtë politikë jo vetëm me shtetet anëtare, por edhe jashtë saj, duke bërë që asnjë europian të mos ndjehet i përjashtuar. “Ne kemi një projekt të përbashkët, një hapësirë ku duam të jetojmë dhe të ecim përpara, prandaj kemi solidaritet.”

Drejtuesi i Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, regjisori Kujtim Çashku, tha se kultura nuk duhet të shihet si përjashtim, por të mendohet më tepër për hartën kulturore për të qenë më të lidhur dhe më të afërt në identitetin europian.

“Europa është një ndjenjë. Dhe ndjenja nuk është vetëm rregull. Ndjenja përparon më shumë se ligji dhe rregullat. Me rregulla mund të jesh pjesë e një sistemi. Por çfarë është kushtetua shpirtërore mund t'ju pyes? Dhe kjo mund të marrë përgjigje vetëm nga kulturat.”

Shqipëria dhe BE-ja

Në politikën, shoqërinë e median shqiptare, narrativa e integrimit në Bashkimin Europian është shtuar. Prej muajit tetor 2024 Shqipëria ka nisur çeljen e grup-kapitujve të negociatave, ndërsa më 15-16 maj 2025 Tirana mblodhi liderët europianë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, nën moton “New Europe in a new world”. Dekania Budini tha se në studimin e kryer nga UET u evidentua se narrativa në media është teknike, komplekse dhe shpesh e paqartë nëse skenarët e lakuar nga politika për një integrim të shpejtë, brenda 2030-ës, janë realistë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënvizoi se Shqipëria nuk e ka humbur kurrë identitetin europian, pavarësisht zhvillimeve historike, duke theksuar se Bashkimi Europian është i vetmi entitet politik në botën e sotme që po zgjerohet në paqe dhe që e bazon ndërtimin e demokracisë liberale mbi tre shtylla kryesore: humanizmi, sundimi i ligjit dhe ekonomia e tregut të lirë.

Sipas tij, Shqipëria e ka treguar gjatë historisë humanizmin dhe po punon fort për të forcuar dy shtyllat e tjera. Sa i përket procesit të integrimit, ministri Hasani tha se nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë, pasi ajo përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Java e Europës/ Politika, diplomacia dhe universiteti, pjesë e

“Diskutimet nuk janë pro apo kundër integrimit, por përshpejtimi dhe sa shpejt duhet të vazhdojmë reformat. Gjithçka ka filluar shumë kohë më parë, por zyrtarisht në mesin e tetorit të vitit të kaluar dhe synon të mbyllet deri në fund të vitit 2027. Pra, gjithçka ka të bëjë me të gjithë ne, nuk ka të bëjë me qeverinë. Ka të bëjë me shoqërinë civile, ka të bëjë me rininë që ta sjellin vendin aty ku donin të ishte 35 vite më parë.”

Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, tha se integrimi është një proces që nëse besohet se do të ndodhë, atëherë do të jetë një realitet i prekshëm. “Integrimi duhet të jetë realist për të gjithë ne, jo vetëm për mua. Dhe nëse të gjithë mendojmë se është realist, do të sigurohem që të jetë. Kjo është puna ime, të jap rezultate për atë që ne besojmë. Ajo që është arritur deri më tani besohej gjerësisht dhe për këtë arsye u arrit.”

Edhe për Mogherinin nuk është një realitet i pamundur përderisa ka ndodhur edhe më parë. “Ka ndodhur në të shkuarën, me shumë gjasa do të ndodhë edhe në të ardhëm. Është një proces transformues. Për mua nuk është zgjerim, është plotësim i integrimit.”

 

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH