Që kur “shpifja” u bë e ligjshme, asnjë qeveri nuk ka ndërhyrë për të vendosur tregun mediatik në kornizën e duhur ligjore, me qëllim që një i tillë të kryejë misionin që duhet të ketë, si në çdo vend tjetër demokratik.
E ndërsa tregu gjatë dekadës së fundit ka ndryshuar dhe është duke u orientuar gjithmonë e më tepër nga mediat online dhe rrjetet sociale, qeveria hartoi një draft pak kohë më parë, draft që prej gati dy viteve ka mbetur në sirtar. Dizinformimi, e drejta e autorit, e drejta për të informuar publikun, profesionalizmi, krijimtaria, pavarësia nga politika që është më kryesorja, janë thjesht terma teorikë që i mësojnë në përgjithësi studentët e gazetarisë. Në praktikë, sidomos nga mënyra sesi funksionojnë mediat online, ato thuajse nuk gjejnë zbatim.
Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe OSBE-ja e kundërshtuan më forcë draftin e hartuar pak kohë më parë, që sipas qeverisë ishte hartuar me qëllimin e vetëm për të rregulluar me ligj “shpifjen”. Prandaj edhe një i tillë mori edhe emrin "anti-shpifje”. Kritikat kryesore lidheshin me atributet e reja të Autoritetit të Mediave Audiovizive që do të merrte rolin e gjykatës. Pikërisht për këtë fakt, ligji duket se nuk kishte si qëllim rregullimin e tregut mediatik, por vënien e pushtetit mediatik nën kontrollin politik. Nën presionin e BE-së, qeveria u tërhoq nga drafti. Sot e kësaj dite tregu mediatik “online” funksionon pa rregulla të qarta, thuajse në kaos.
A ka ardhur koha për të hartuar një draft të ri ligjor, për të cilin ka nevojë tregu, që të jetë gjithëpërfshirës, e të miratohet nga Kuvendi me qëllim për ta mbrojtur me ligj konkurrencën, veçanërisht kur vihen re shkelje të rënda në media teksa krijimtaria dhe profesionalizmi shpesh e humbasin rëndësinë që duhet të kenë?
Në çfarë niveli paraqitet aktualisht tregu mediatik në vendin tonë, krahasuar qoftë në nivel kombëtar me institucionet e tjera qoftë edhe më gjerë, në krahasim me vendet e rajonit, dhe çfarë mund të bëhet më mirë për të përmbushur standardet e kërkuara, para anëtarësimit në BE, gjithnjë duke u fokusuar te e drejta e autorit, etika dhe profesionalizmi?
Irena Myzeqari, pedagoge e shkencave të komunikimit pranë Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, trajton për “Liberale.al” tematikën e nevojës së një kornize të re ligjore, që do të mund të mbronte më mirë punën krijuese të gazetarit dhe të mediave në Shqipëri:
“Një kornizë e re ligjore për të mbrojtur të drejtat e autorit mund të jetë e dobishme, por vetëm nëse hartohet në konsultim me grupet e interesit dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes. Them këtë, sepse i gjithë procesi do duhet të balancojë lirinë e medias me nevojën për saktësi dhe përgjegjësi profesionale, dhe jo thjesht të shërbejë si instrument kufizues.
Në Shqipëri, aktualisht tregu mediatik përballet me sfida si në cilësinë e lajmeve, respektimin e etikës profesionale dhe mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe krahasuar me vendet fqinje apo ato anëtare të BE-së, konstatohet se megjithë përpjekjet pozitive për vetë-rregullim dhe profesionalizim, institucionet mediatike shpesh kanë probleme me transparencën dhe deri tek standardet e redaktimit. Duke pasur në fokus anëtarësimin në BE, masat e mëposhtme do të ishin kyçe për median në Shqipëri:
1. Forcimi i vetërregullimit dhe etikës: Mediat duhet të zbatojnë kode të qarta etike dhe mekanizma funksionalë ankese, duke rritur besueshmërinë dhe përgjegjshmërinë.
2. Trajnimi profesional: Trajnimet e vazhdueshme në fushën e edukimit për median dhe informacionin mund ndihmojnë gazetarët e rinj dhe profesionistët të kuptojnë më mirë standardet etike, të drejtën e autorit dhe format bashkëkohore të gazetarisë.
3. Garantimi i pavarësisë financiare: Mbështetja publike apo private duhet të strukturohet në atë mënyrë që mos ndikojë negativisht në pavarësinë editoriale.
4. Përmirësimi i kornizës ligjore: Një ligj i konceptuar me ekspertizë kombëtare e ndërkombëtare, i cili mbron lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar, duke parashikuar sanksione të drejta ndaj shkelësve, do të rriste profesionalizmin e tregut mediatik dhe do të mbështeste përmbushjen e standardeve për integrimin europian.
Një qasje e balancuar ndërmjet edukimit, vetërregullimit dhe legjislacionit të qartë do të nxiste cilësinë dhe profesionalizmin në tregun mediatik, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe duke mbrojtur njëherazi autorët e përmbajtjeve dhe publikun në tërësi."
/Liberale.al/