Polis

Revista POLIS/ Studiuesi tajlandez sjell analizën krahasuese mes Shqipërisë dhe Tajlandës në arsimin e lartë

Shkruar nga Liberale

Revista POLIS/ Studiuesi tajlandez sjell analizën krahasuese mes

Edicioni i dytë i “Polis” 23, revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, i promovuar para pak ditësh, pati në fokus ndërlidhjen e disiplinave për një kuptim global të çështjeve bashkëkohore. Autorë të ndryshëm, studiues shqiptarë dhe të huaj sollën analizat, gjetjet dhe rekomandimet e tyre për një sërë çështjesh të rëndësishme që influencojnë në forma e mënyra të ndryshme shoqërinë tonë.

Si një revistë me standarde ndërkombëtare “Polis” është e preferuar për botim nga studiuesit e universiteteve europiane e më gjerë. Në këtë numër vijnë studimet e tre pedagogëve jo shqiptarë nga Tajlanda, Ukraina dhe Lituania. Do të ndalemi më gjatë te analiza e pedagogut Polwasit Lhakard nga Shkolla e Arteve Liberale në Universitetin e Teknologjisë në Bangkok, Tajlandë. Nën temën “Shtigje konvergjente, udhëtime të dallueshme: Reforma arsimore dhe ndërkombëtarizimi në Tajlandë dhe Shqipëri”, ai shqyrton trajektoret paralele por të dallueshme të reformës arsimore në Tajlandë dhe Shqipëri, duke u fokusuar në përpjekjet e tyre për ndërkombëtarizim dhe transformimet sistematike që nga vitet 1990.

Duke krahasuar një sërë elementësh si, proceset e ndërkombëtarizimit, kapaciteti dhe zhvillimi institucional, mekanizmat e sigurimit të cilësisë, kapaciteti dhe zhvillimi institucional, transformimi digjital në arsim;,kornizat e bashkëpunimit ndërkombëtar, autori zbulon ngjashmëri të mëdha në objektivat e reformës në të dyja vendet. Pavarësisht ndodhen në kontinente të ndryshme, të distancuara mjaftueshëm sa për të mos pasur ndonjë lloj ndikimi ekonomik, social apo kulturor, me rrugëtime krejtësisht të ndryshme politike apo shoqërore, Shqipëria dhe Tajlanda kanë ndjekur të njëjtën rrugë në procesin e ndërkombëtarizimit

“... nga analiza gjithëpërfshirëse e të dhënave dhe hulumtimi aktual, gjetjet tregojnë se të dyja vendet përballen me sfida të ngjashme në balancimin e standardeve ndërkombëtare me nevojat lokale, edhe pse qasjet e tyre ndaj zgjidhjes ndryshojnë ndjeshëm”, shkruan autori në hyrje të studimit.
Ai më tej analizon kuadrin ligjor dhe marrëveshjet që kanë zhvilluar Shqipëria dhe Tajlanda, duke transformuar sistemet e tyre arsimore dhe duke i shtyrë vazhdimisht drejt modernizimit, integrimit dhe standardeve ndërkombëtare.

“Zhvillimet e fundit në të dy rajonet kanë nxjerrë në pah kompleksitetin në rritje të reformës arsimore në një peizazh të ndërlidhur global. Midis 2020-2024, sektori i arsimit të lartë të Tajlandës zbatoi ndryshime të rëndësishme strukturore përmes programit "Reinventing University", i cili theksoi transformimin digjital, ndërtimin e kapaciteteve kërkimore dhe partneritetet ndërkombëtare. Kjo nismë përkoi me zbatimin nga Shqipëria të Strategjisë së Arsimit të Lartë 2021-2026, duke u fokusuar në rritjen e cilësisë, zhvillimin e kërkimit dhe integrimin evropian”, theksohet në artikull.

Përveç analizës së kuadrit ligjor, për të shqyrtuar përpjekjet për reformimin e arsimit dhe ndërkombëtarizimin nga viti 1990 deri në vitin 2024, autori analizon kategori të shumta dokumentesh, përfshirë dokumentet zyrtare të politikave, raportet e qeverisë, publikimet akademike, raportet e organizatave ndërkombëtare dhe dokumentet e vlerësimit institucional. Ai shqyrton gjithashtu kërkime dhe artikuj shkencorë të autorëve të ndryshëm shqiptarë që kanë publikuar për çështjet e arsimit të lartë dhe proceset e tij transformuese.

Pas gjithë këtyre dëshmive, Polwasit Lhakard ndalet në rrugëtimin që kanë pasur dy vendet sa i përket reformës së arsimit dhe procesit të ndërkombëtarizimit.
Kështu, duke u ndalur te “Kornizat e bashkëpunimit ndërkombëtar”, në artikull thuhet se bashkëpunimet ndërkombëtare kanë evoluar në mënyrë të dallueshme në secilin kontekst. Autori e bën analizën në rrafsh të përgjithshëm, pa u ndalur në arsim publik apo jo publik, dhe merr në studim sistemin arsimor në përgjithësi. Duke qenë se Tajlanda ka më shumë institucione të arsimit të lartë, 156 të tilla, në krahasim me Shqipërinë (40), numri i marrëveshjeve dhe shkëmbimeve atje është më i madh.

“Tajlanda priti mbi 25,000 studentë ndërkombëtarë në vitin 2023, që përfaqëson një rritje të konsiderueshme nga vitet e mëparshme. Universitetet tajlandeze kanë krijuar 1200 memorandume aktive mirëkuptimi me partnerët ndërkombëtarë, duke demonstruar angazhim të fortë ndaj angazhimit global. Institucionet shqiptare, duke përfituar nga mekanizmat e integrimit europian, kanë zhvilluar partneritete të gjera brenda kuadrit të BE-së. Pjesëmarrja në programe si Horizon Europe dhe CEEPUS ka përmirësuar bashkëpunimin kërkimor dhe lëvizshmërinë akademike. Statistikat tregojnë se universitetet shqiptare janë angazhuar në 320 projekte ndërkombëtare gjatë periudhës 2020-2023, duke shënuar rritje të konsiderueshme në bashkëpunimin akademik ndërkombëtar”, thuhet në shkrim.

Megjithatë, autori thotë se ndërthurja e zbatimit të politikave dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale zbulon dinamika komplekse në të dy kontekstet, por edhe sfida të ngjashme që kanë të bëjnë me shpërndarjen e burimeve dhe zhvillimin e kapaciteteve. Po ashtu, të dyja vendet kanë identifikuar të njëjtat fusha kërkimore të qëndrueshme si ruajtja e trashëgimisë kulturore, transformimi digjital në arsim etj. Nisur nga këto faktorë, autori vjen me propozimin e shtimit të bashkëpunimit Tajlandë- Shqipëri, fillimisht përmes marrëveshjeve dypalëshe për njohjen e kualifikimeve.

“Të dhënat aktuale tregojnë se vetëm 15% e kualifikimeve akademike njihen reciprokisht midis dy vendeve, duke nxjerrë në pah një pengesë të rëndësishme për mobilitetin akademik. Kjo shkallë e ulët njohjeje paraqet një sfidë dhe një mundësi për përmirësim sistematik... Përafrimi i Shqipërisë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) dhe pjesëmarrja e Tajlandës në Kornizën e Referencës së Kualifikimeve ASEAN (AQRF) krijon një bazë të natyrshme për ndërtimin e përputhshmërisë. Për të adresuar këtë sfidë, të dy vendet mund të krijojnë një grup të përbashkët pune të fokusuar në hartimin e kualifikimeve, veçanërisht në disiplinat prioritare si inxhinieria, teknologjia e informacionit dhe administrimi i biznesit”, vijon më tej propozimi i studiuesit.
Polwasit Lhakard sheh mundësi bashkëpunimi në zhvillimin e infrastrukturës digjitale, në kërkimin e përbashkët shkencor, publikimet e përbashkëta në çështje që kanë të bëjnë me turizmin, teknologjinë, inovacionin, ndryshimet klimatike, etj.

“Këto iniciativa mund të mbështeten nga modelet ekzistuese të rrjeteve të suksesshme kërkimore, siç është korniza e Bashkëpunimit Kërkimor Tajlandez-Gjerman, i cili ka demonstruar mekanizma efektivë për partneritete të qëndrueshme kërkimore.”
Po ashtu, ai sugjeron të krijohet një grup financimi dypalësh për kërkimin shkencor, i krijuar me kontribute të njëjta nga të dyja qeveritë, me një afat të caktuar kohor, i cili mund të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për projekte të përbashkëta akademike.

“Duke ndërtuar mbi pikat e forta ekzistuese, duke adresuar kufizimet aktuale dhe duke përqafuar zgjidhje novatore, të dy vendet mund të krijojnë marrëdhënie arsimore të qëndrueshme dhe reciprokisht të dobishme. Suksesi i këtij bashkëpunimi jo vetëm që do të përfitojë komunitetet akademike në të dy vendet, por gjithashtu do të kontribuojë në mirëkuptimin më të gjerë kulturor dhe zhvillimin ekonomik. Ndërsa arsimi global vazhdon të evoluojë, partneriteti tajlandez-shqiptar mund të shërbejë si një model për bashkëpunimin arsimor ndër rajonal, duke demonstruar sesi vendet me tradita të ndryshme arsimore mund të mund të punojnë së bashku për të krijuar partneritete akademike kuptimplota dhe të qëndrueshme”, përmbyll autori.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH