Polis

RRËFIMI I JAVËS/ Shkolla e Lidershipit UET, Nevila Nika: Historia tregon se nuk e mësuam kurrë çdo të thotë demokraci

Shkruar nga Liberale

RRËFIMI I JAVËS/ Shkolla e Lidershipit UET, Nevila Nika: Historia

Nuk e dija që ekzistonte Arkivi derisa u emërova në të. Kështu rrëfeu historiania Nevila Nika gjatë intervistës kolektive me maturantët në Shkollën e Lidershipit në Dhërmi, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, në datat 23–25 maj. Pas mbarimit të studimeve për Histori, Nika u emërua në Arkivin Qendror të Shtetit, institucion ku qëndroi për shumë vite, zhvilloi karrierën e saj nga specialiste në drejtuese sektori e më tej drejtuese e AQSH-së. Karriera e saj në arkivistikë kulmoi me marrjen e drejtimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në vitet 2005- 2013.

Ka qenë më tej pjesë e akademisë, ku një pjesë të mirë të kontributit e ka dhënë pranë Universitetit Europian të Tiranës si pedagoge, dekane e Fakultetit Juridik e Shkencave Politike e më tej rektore, duke u bërë e para grua në historinë e këtij institucioni që mban këtë post. Aktualisht është kryetare e Akademisë së Studimeve Shqiptare, pranë UET.

Prezantimi për maturantët

Gjithë jeta ime ka qenë Arkivi. Nuk e kam ditur që kishte Arkivë kur kam mbaruar studimet se në shkollë nuk na e thoshin. Lindur dhe rritur në Tiranë, por nuk e dija as ku ishte si ndërtesë. Kam shkuar me të pyetur, kur mora emërimin. Jam diplomuar për Histori. Hyrja në Arkiva ka qenë një ditë e çuditshme për faktin që shkoja të punoja me disa njerëz të cilët si kisha parë kurrë, por edhe për shkak të vendndodhjes së godinës, ngjitur me burgun, në një oborr me të burgosurit, me ushtarët e armatosur, me qentë e kufirit. Ishte diçka traumatike kur hyje, por punonjësit që gjeta ishin njerëz krejt ndryshe nga ajo që shikoje rreth e rrotull.

Nga shtatori i 1986-ës deri në tetor të 2013-ës kam qenë pa ndërprerje në këtë institucion, ku ruhet kujtesa kombëtare. Nuk është vetëm e ne shqiptarëve që jemi këtu, është edhe e atyre që janë jashtë kufijve. Për një periudhë, nga ’41-shi në ’44-ën kemi qenë toka të bashkuara, duke përjashtuar Çamërinë. Italianët nuk e bashkuan dot atë me Shqipërinë etnike. Në Arkiva ruhen dokumentet e kësaj periudhe shumë të veçantë, të paharruar nga ai brez që bëri shkollën me mësues shqiptarë, të cilët kaluan jashtë kufijve kur u hapën shkollat shqipe për herë të parë. Dijeni se ka qenë një gjë e jashtëzakonshme.

Ajo që më ka bërë përshtypje, pasi kam kuptuar se sa rëndësi kanë arkivat në botë, është kur tre persona të huaj erdhën në Arkivat e Shtetit që të kërkonin sistemin elektrik që ishte bërë në vitet ’30-të. Donin planin e parë që të bënin rikonstruksionin. Arkivat janë gjithashtu institucioni i parë që sulmohen në raste lufte. Ushtritë marrin territoret. Marrja e arkivave është marrja e shtetit pasi atje është pushteti, dokumenti është pushtet.

Në cilën periudhe gjatë këtyre 34 viteve qeverisje, Shqipëria ka pasur progresin e saj më të madh sa i përket demokracisë?

Unë kam mbaruar Histori dhe kam studiuar arkivistikë në Francë, Zvicër, Itali. E kam jetuar periudhën e komunizmit, e kam parë, e kam dëgjuar. Kam pasur privilegjin me kolegët e mi që ta lexojmë, gjë që nuk e ka pasur publiku shqiptar. As studiuesit nuk e kanë pasur. Kishte censurë dhe autocensurë. Kur flasim për demokraci duhet të kuptojmë se jemi një popull që kemi jetuar shumë pak periudha të qeta ku mund të votonim lirshëm. Vjet ne bëmë konferencën në Parlamentin e Shqipërisë për parlamentarizmin shqiptar dhe Kongresin e Lushnjës, i cili është pavarësia e dytë e Shqipërisë. Ata burra patën mençurinë, pranuan gjithsecilin dhe u mblodhën në Lushnje, në shtëpinë ku jetonte mbesa e Aqif pashë Elbasanit, një nga nxitësit e këtij kongresi.

Në vitet ’20-’24, Shqipëria ndërroi pa pikë turpi dhe pa ndrojë 14 qeveri, sa gjetën atë ku duhet të shkonin. Pati zgjedhje por me përfaqësues të parë dhe të dytë. Pati përplasje për regjistrim popullsie. Gjyshi im, Hoxha Kadri Prishtina ishte Ministër Drejtësie, deputet, nënkryetar parlamenti dhe debatoi shumë fortë me Mehdi Frashërin, edhe pse e kishte mik, një nga personalitetet e politikës shqiptare, një burrë i rrallë, i cili është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme për regjistrimin e popullatës të një nënprefekture.

Për hir të së vërtetës, ne nuk mësuam kurrë se çdo të thotë demokraci. Së pari, unë quaj demokraci respektimin e njëri-tjetrit; nuk më pëlqen mendimi yt por të respektoj, të dëgjoj.

Konferenca e Paqes së Parisit, nga gjithë historianët dhe mendimtarët në botë është cilësuar si konferenca e luftës. Vetëm luftë solli, nuk solli paqe. Shumë shpejt filloi Lufta e Dytë Botërore, pasojat e të cilës vijojnë edhe sot.

Në shkrimet që janë në Arkiva, sidomos në ato për Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipëria krahasohet me Poloninë, pra fati i polakëve krahasohet me atë të shqiptarëve, të gjendur mes dy kombeve të tjera që nuk i donin. Polakët gjendeshin me gjermanëve dhe rusëve. Përkujtohet sot 80 vjetori i luftës, por shumë pak përmendet se një javë pas Hitlerit, sulmoi Stalini Poloninë. Prandaj duhet kuptuar edhe ky qëndrim i polakëve, pasi asgjë nuk është e rastësishme. Në 2022-in kam qenë në Poloni dhe në rrugë kishte afishe të mëdha: “Thank you USA”, me gjithë lutjet, memorandumet që i ishin çuar Ëillson-it që t’i mbronte SHBA-ja e të mos copëtoheshin.

Edhe ne e kemi bërë këtë. Presidentit Willson i janë dërguar pafundësisht kërkesa, memorandume. Studentët që ishin në Vjenë i kanë dërguar, ka nga Shqipëria, nga Peqini, nga Shkodra, nga Berati. I dërgohen lista të të vrarëve, të spastrimit etnik të shqiptarëve të Jugosllavisë po themi. Qeveria amerikane, angleze, franceze i kishin në tavolinë.

Ka një memorandum të bukur që e botoi Eugjen Merlika me UETPRESS, dërguar në Kongresin e Berlinit nga shqiptarët. Nuk dihet se kush e ka shkruar. I është dërguar Benjamin Disraeli-t, Konti i Beaconsfield, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Është një nga memorandumet më të bukura që ka prodhuar mendja e veprimtarëve shqiptarë. Nuk është botuar asnjëherë i plotë, përveçse tani që e botoi Merlika.

Ka dy paragrafë. I pari është i shkurtër. “Ne nuk ju kërkojmë asgjë, përveçse të jemi shqiptarë”. Pasazhi tjetër është: “Jemi barriera e fundit e depërtimit sllav në Europë. Jemi të fundit që mund t’iu mbrojmë”. Është shkruar më 13 qershor 1878-ën.

RRËFIMI I JAVËS/ Shkolla e Lidershipit UET, Nevila Nika: Historia

Meqenëse jemi në kuadrin e historisë dhe kemi këtë shprehjen “historia përsërit vetveten”. Le të flasim për periudhën para 1912-, para se Shqipëria të bëhej shtet. Cila periudhë e kombit shqiptar, mendoni ju se ka ndikuar më shumë në dinamikën e ardhshëm? Ku e gjejmë më shumë atë përsëritjen sot?

Ne nuk e përsërisim dot 2 marsin e 1944-ës. Zhvillimet fillojnë te shek. XVIII, që me Kuvendin e Arbrit, por shek. XIX është ai që ka hovin më të madh në këtë drejtim që na vjen nga diaspora, pra nga emigrantët e parë të cilët janë shumicë. Nuk ka ikur një familje apo dy. Në Itali ka mendim, ka zhvillim politik, arbëreshët përfshihen për bashkimin e Italisë. Me Garibaldin janë edhe mjaft arbëreshë. Komuniteti arbëresh është shumë aktiv dhe këtë e tregon edhe fakti që do të nxjerrin edhe një kryeministër të Italisë së Bashkuar. Prej atyre ne do të na vijë gjithë vlerësimi për Gjergj Kastriotin, sepse ata nuk e kanë harruar. Ata mbetën të bashkuar, nuk harruan gjuhën e të parëve. Është befasuese që për katër shekuj, madje edhe sot përpiqen ta ruajnë.

Nga ajo diasporë na erdhi frymëzimi i parë. Pastaj është diaspora jonë, fillimisht ekonomike dhe pastaj politike, nga Bullgaria, Rumania dhe Egjipti, përfshirë edhe atë të Stambollit. Ata erdhën, morën detyra dhe asnjëri nuk kërkoi sa ishte rroga. Erdhën me shpenzimet e familjeve të tyre. Fatkeqësia ishte se kur erdhën nuk gjetën gjë, këtu ishte shkretim. Edhe ato lëvizjet, kryengritjet e mëdha, gabuan dhe duhet ta pranojmë se bënë edhe gabime, në sensin që me pushtuesin shekullor nuk mund të bësh një marrëveshje dhe të marrësh përnjëherë atë që kërkon.

Ismail Qemali, që e quajmë babanë e Pavarësisë, ishte i rrahur me vaj e uthull në politikë e diplomaci. E kuptoi që Lufta Ballkanike ishte në derë dhe i mblodhi me urgjencë dhe vuri gjithsecili firmën. Ishte i organizuar. Pavarësisht si paraqitet në filmin “Nëntori 2”, Vlora ishte plani i parë. Ishte kështjella e familjes Vlora, kishte krushqi me familjen Vrioni, familjen Vërlaci, pra ishte më e sigurt për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.

A mendoni se monarkia ka qenë periudha më e mirë e Shqipërisë?

Deri diku po. Ikja e Princ Vidit na dha grushtin përfundimtar. Gjermania e humbi luftën, por Greqia e kishte mbretin gjerman dhe nuk u shpërbë. Haxhi Qamili është një nga fatkeqësitë tona kombëtare. Nuk kishte ndodhur kurrë që një i marrë si Musa Qazimi, të udhëzonte Haxhi Qamilin për të bërë ato që bëri.

Për ardhjen e Princ Vidit shënime ka plot, paraqitet lufta parlamentare, ndryshohen vazhdimisht grupimet. Ka një turbullirë në parlamentin shqiptar.

Pastaj vijmë te Ahmet Zogu, i cili ishte rritur në një mjedis politik. Të qenit bajraktar i një krahine sado të vogël e bënte të ishte gjyqtar, diplomat, deputet. I kishte të gjitha. I rritur në një familje të tillë e kishte këtë lloj përvoje. Ishte i zgjuar. Në një lëvizje rebele dhe çmendurie, në kuptimin që nuk kishte shans të fitonte kundër një administrate jo vetëm të fjetur por edhe të korruptuar deri në detaj, ngrihet Et’hem Toto, ministri i Brendshëm i qeverisë së rrëzuar të Mehdi Frashërit, për t’i lënë mbretit të kuptojë që të mos vazhdojë më me Musa Jukan e Abdurraham Matin, pasi janë të korruptuar dhe i marrin pronat.

Pas kësaj ndodhie, do të vriten tre burra të shtëpisë dhe të katërtin do ta varin. Ai ishte gjyshi im. Ishte e pafalshme kjo gjë. E kam vlerësuar Ahmet Zogun sepse rreth vetes mori njerëz me shkollë që u përpoqën ta çonin përpara, por praktikisht edhe ai e kishte të pamundur. Nga 1923 deri në 1939 nuk kishte çfarë të bënte. Gabimi i tij fatal ishte se nuk qëndroi 24 orë këtu kur sulmoi Italia, por shkoi pas gruas. Nuk e vlerësuan as britanikët për këtë gjest.

RRËFIMI I JAVËS/ Shkolla e Lidershipit UET, Nevila Nika: Historia

Çfarë mendoni për Pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës?

Mendoj shumë keq. Ali Pashë Tepelena ishte në nivelin e zgjuarsisë, mençurisë. Familja e Bushatllinjëve ka më shumë meritë se ai. E para e punës, sepse nuk vrau shqiptarë. Vrasja e Suliotëve prej Ali Pashë Tepelenës, vetëm sepse ishin të krishterë, është e pafalshme.

Ka një kritikë ndaj Bushatllinjtë, që akuzohen se dogjën Voskopojën, por në fakt atë e dogji Ali Pasha.

Sajesat që bëri Ali Pashë Tepelena, për marrjen e motrës dhe të nënës, nuk qëndrojnë. Ai ishte një sebep, por nuk ishte rast i vërtetë. Gjithsesi, pavarësinë grekëve ai ua dha.

Unë kam qenë në Institutin e Kulturës së Bankës Kombëtare të Greqisë, në bibliotekën dhe arkivin e Parlamentit grek dhe ata e thoshin hapur: Kollokotroni e personazhe të tjerë janë arvanitas. Nuk refuzonin ta fshinin, gjë që ishte mbresëlënëse. Ne me Greqinë jemi fqinj aq të vjetër, saqë padyshim kemi edhe afërsi. Kur flasim për atë që ndodhi në shekullin XX, aty hyn politika, pushteti, interesat. P.sh. Esat Pashën e kemi parë si simbol të tradhtarit, të dikujt që shet karrigen e vet. Historia tregon se tradhtarë ka shumë.

Cilat figura historike mendoni se janë nënvlerësuar?

Janë shumë. Do të thosha shqiptarin e parë të Urdhrit Françeskan në Shqipëri, Atë Pal Dodaj. Asnjë se ka dëgjuar. Sipas Zef Pllumit, një nga figurat më mendjendritur në fushën e politikës dhe diplomacisë. Ai e kishte mik Gjergj Fishtën dhe fjalimin që e lexoi Luigj Bumçi në Konferencën e Parisit, është produkt i dorës së tyre.

Figurë tjetër që meriton më shumë vëmendje, Zef Jubani, një nga ideologët e Rilindjes, për të cilin flitet shumë pak për të, ose me tone të ulëta. E kemi ne këtë të keqe, vetëm pesë emra përmendim: Ismail, Hasan, Luigj, Bajram, Isa.  Këta dy të fundit ishin analfabetë. Ishin trima me pushkë.

Për ta mbyllur këtë intervistë, dua t’iu ju pyes për disa figura historike dhe me një fjali mund të thuash mendimin tënd për ta.

Skënderbeu- arriti të bashkojë të paarritshmen deri më sot, shtetin e parë shqiptar.

Ali Pashë Tepelena- politikan pa shkollë, tepër finok, i paarritshëm në këtë drejtim, aq sa arriti të mbajë një ekuilibër mes dy popujve dhe dy besimeve.

Abdyl Frashëri- Një mendimtar në rrafshin politik.

Ismail Qemali- Politikan, diplomat, gjithçka mund t’i thuash, vizionar dhe dikush që mori nisma.

Fan Noli- Një gjeni, por jo politikan, dështoi si i tillë.

Avni Rustemi- Një djalë revolucionar.

Ahmet Zogu- Bajraktar dhe shtetformues.

Mehmet Shehu- Ushtarak i mirë dhe zbatues i mirë i urdhrave, nëpunës i rregullt.

Ramiz Alia- Shkodra i thotë degërmi, një shami e bardhë që vendosin gratë, e hollë e qëndisur. Kishte zë të hollë.

Sali Berisha- Mes bajraktarit dhe Mehmet Shehut.

Fatos Nano- Shtetar shumë i mirë, tolerant dhe nuk e donte punën.

Edi Rama- Artist, e thotë vetë ai.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH