Një anije me flamur britanik, që transportonte ndihma simbolike për Gazën dhe ku ndodhej aktivistja suedeze Greta Thunberg, është ndaluar nga marina izraelite në përpjekje për të çarë bllokadën detare të vendosur ndaj territorit palestinez.
Anija “Madleen”, e operuar nga koalicioni pro-palestinez Freedom Flotilla Coalition (FFC), ishte nisur për të dorëzuar ndihma dhe për të rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi krizën humanitare në Rripin e Gazës.
Sipas FFC-së, anija u ndalua nga forcat izraelite në orët e para të mëngjesit të së hënës, përpara se të arrinte në brigjet e Gazës. Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi më pas se anija është marrë nën kontroll dhe po drejtohet drejt një porti izraelit.
“Anija po lundronte e sigurt drejt brigjeve izraelite. Pasagjerët do të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, thuhej në një deklaratë të ministrisë në platformën X. Më tej u bë e ditur se të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe u është ofruar ujë dhe ushqim.