U zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Universitar, një ekspozitë për kineastët e rinj shqiptarë, studentë dhe ish-studentë të filmit dhe regjisurës.
Ky event i organizuar nga Departamenti i Arteve të Aplikuara në UET, vjen në funksion të ofrimit të një mjedisi të ri për studentët dhe kineastët, për t’u përballur me syrin kritik të jurisë, profesionistëve të fushës, por edhe të publikut të thjeshtë dhe atyre që aspirojnë të zhvillojnë karrierën në këtë drejtim.
Juria e këtij edicioni kryesohet nga drejtoresha artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, pedagogia e Universitetit të Arteve, Anila Varfi, me anëtarë regjisorin e shqiptaro-amerikan, Fatmir Bardhoci dhe pedagogë të UET.
Në fjalën hapëse, përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, dr. Ermir Nika, tha se ky event "iu dedikohet kineastëve të rinj, kryesisht studentëve, për të krijuar një komunitet, një traditë dhe një mundësi për ta". Ai theksoi se Shqipëria ka një traditë të vyer kinematografike, me realizime shumë cilësore, që duhet zhvilluar më tej.
Fatlum i quajti Anila Varfi studentët që kanë mundësi të jenë pjesë integrali e një ngjarjeje të tillë, duke shpresuar që historia e këtij festivali të jetë sa më jetëgjatë për të krijuar një lloj habitati për të gjithë të rinjtë.
“Kjo është e veçanta e këtij festivali, që të gjithë të gjejnë një ndërlidhje me njëri-tjetrin, të gjejnë një platformë shfaqjeje dhe më pas tregun, përmes lançimit të punëve të tyre.”
Regjisori shqiptaro- amerikan, Fatmir Bardhoci, e cilësoi kënaqësi praninë në auditorin e UET dhe shprehu bindjen se falë punës dhe talentit studentët e rinj do bëhen pjesë e kinematografisë botërore.
“Me mbështetjen e profesorëve dhe të qeverisë shqiptare, që ne nuk e kemi pasur, besoj se do të arrini shumë. Arritjet e mia nuk janë asgjë në krahasim me gjithë atë që dua që ju të arrini. Me gjithë këtë energji, besoj që rinia shqiptare do ketë shumë sukses”, tha ai.
Me një eksperiencë disa vjeçare në kinematografinë amerikane, duke pasur në repertor kryesisht role policie dhe detektivi në filmat serialë më të shikuar në Amerikë, Bardhoci tha se ka punuar mbi 30 vjet për të ngritur kulturën e filmave aksion. Më tej, ai ftoi të rinjtë që të eksplorojnë edhe në këtë zhanër.
Festivali vijoi me shfaqjen e filmave të këtij edicioni, ku krahas punimeve të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, erdhën edhe prodhime kinematografike nga akademi të tjera. U shfaq një film nga një studente e Universitetit të Arteve, për të vijuar pastaj me dy filma pjesëmarrës në Projektin Ballkan Gate. Nga Universiteti Europian i Tiranës u shfaqën gjashtë filma të realizuara nga studentët.