Gjykata vendosi një ditë më parë ta nxjerrë nga qelia gruan e burgosur 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj.
Ajo u burgos pas akuzave nga ish-bashkëshorti për braktisjen e fëmijës së tyre dhe ishte gjobitur, gjobë e cila u konvertua më pas në dënim me burg.
Diana Bahçja është akoma e mpirë nga tronditja e arrestimit dhe tregon se në qelitë e burgut vetëm ka qarë dhe ishte e ndarë nga gratë e tjera.
“Për mua ishte shumë e vështirë. Nuk mund ta përballoja dot. Me zor kam ndenjur atje, duke qarë ditë natë. Aty kam ndenjur vetëm, nuk jam bashkuar me gratë e tjera”, tha Diana për tvklan.
Nëna lehone rrëfen se ndonëse edhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër edhe në kryeqytet kishte thënë që sapo kishte lindur askush nuk ka marrë parasysh këtë fakt, duke treguar moskokëçarje
“Infermieret u kujdesën për mua ty. Kur shkova te policia e Shkodrës thjesht më thanë që je dënuar 1 muaj e 10 ditë. Ata të Tiranës më thanë 1 muaj e 20 ditë. Erdhën të Tiranës më morën dhe më çuan. U tregova se sapo kisha lindur. Nuk donin t’ia dinin. Nuk kemi lidhje me atë punë. Kam ndenjur në Shkodër 3 orë, 4. Policia e Tiranës nuk kanë fol fare. Nuk më kanë dhënë përgjigje. Thjesht heshtën”, tha ajo.
Ajo shprehet se nuk ka qenë në dijeni as për gjobën dhe as për dënimin.
“Thjesht ka ardhur ai zotëria këtu tek shtëpia dhe më ka marrë”, tha ajo, duke falenderuar të gjithë ata që janë sensibilizuar me historinë e saj.