
Dokt. Evisa Kambellari
Shteti i së drejtës përfaqëson një parim kompleks të bazuar në ekzistencën dhe respektimin e parimeve të tjera më specifike. Në një përpjekje për të dhënë një përkufizim të përmbledhur të këtij koncepti, mund të themi, se ai gjen shprehje në këto elemente kryesore:
1)qeverisje që i nënshtrohet ligjeve;
2) barazi përpara ligjit;
3) ligjshmëri dhe rend publik;
4) drejtësi efiçente e parashikueshme;
5) mos-dhunimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve nga autoritetet shtetërore.
Shteti i së drejtës, në kuptimin formal, përfshin në vetvete urdhërimet për njohjen dhe respektimin e formave dhe procedurave të caktuara mbi ndërtimin dhe veprimtarinë e organeve shtetërore. Ndërsa në kuptimin e tij material, përfshihen kërkesat për të garantuar përmbajtjen e ligjeve të caktuara, mes të cilave, vend të veçantë zënë aktet mbi të drejtat dhe liritë themelore. Shteti i së drejtës përfaqëson një ideal politik, jo vetëm për shoqëritë e vendeve në tranzicion, por edhe për shoqëritë e vendeve me një demokraci të konsoliduar. Arritja e këtij ideali përbën një projekt ambicioz, vënia në jetë e të cilit, kërkon një angazhim gjithëpërfshirës, të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë, koordinim të vazhdueshëm të veprimeve të tyre, ndërmarrjen e reformave të mirë-studiuara, në përputhje me problematikat dhe veçoritë e kontekstit përkatës politik, ekonomik dhe social, si dhe hartimin e politikave të duhura implementuese për zbatimin e tyre. Vendosja e sistemit demokratik në vendin tonë, u shoqërua në mënyrë të pashmangshme, me nisjen e një rruge të gjatë reformash institucionale dhe ligjore, me destinacion final, garantimin e vlerave të shtetit të së drejtës. Në vijim, prezantohen shkurtimisht, disa nga reformat kryesore në fushën e drejtësisë dhe në fushën ekonomike, si dy nga drejtimet më domethënëse të projektimit të modelit të shtetit të së drejtës. Në këtë kuptim, reforma në sistemin e drejtësisë paraqitet si mjaft e rëndësishme, pasi përbën bazën për garantimin e ligjshmërisë në fushat e tjera. Nga ana tjetër, ndërmarrja e reformave për ndërtimin e një mjedisi të, qëndrueshëm ekonomik, konsiderohet se ndikon ndjeshëm në arritjen e një niveli më të lartë të zbatimit të ligjit në përgjithësi, si dhe në qëndrueshmërinë e normave të lidhura me rregullimin e fushës ekonomike në veçanti.
Reforma në fushën e drejtësisë
Administrimi i rregullt i drejtësisë përfaqëson një element thelbësor për sigurimin e ligjshmërisë në veprimtarinë e organeve të administratës publike dhe për mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore të individit. Në vijim të trajtesës, roli reformave të ndërmarra në fushën e drejtësisë shihet në dy aspekte kryesore: së pari, në krijimin e hapësirës së nevojshme ligjore, për të garantuar shmangien e çdo ndërhyrjeje arbitrare apo ndikimi të paligjshëm në dhënien e drejtësisë dhe së dyti, në vendosjen e mekanizmave që bëjnë të mundur nënshtrimin ndaj kontrollit gjyqësor të veprimtarisë së organeve të administratës publike.
Ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe në ligjet e posaçme që rregullojnë organizimin e pushtetit gjyqësor, parashikohet shprehimisht, se ‘pushteti gjyqësor është tërësisht i ndarë nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv’. Garantimi efektiv i kësaj pavarësie shprehet qartë në një sërë elementësh si : përgatitja e gjyqtarëve të ardhshëm nga një shkollë e ngritur posaçërisht për këtë qëllim, e cila është shkolla e Magjistraturës ; ngritja dhe funksionimi i një organi të pavarur, siç është Këshilli i Lartë të Drejtësisë, si autoriteti i vetëm përgjegjës për emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit ;përcaktimi i qartë në ligj i rasteve të lëvizjes nga detyra të gjyqtarit; gëzimi i imunitetit penal për fjalët e thëna apo vendimet e marra në ushtrim të detyrës nga ana e gjyqtarit; sigurimi i pavarësisë financiare të gjykatave, si dhe mos-kufizimi i kohës së qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve. Gjykatat janë institucione, veprimtaria e të cilave bazohet në dhënien e drejtësisë nëpërmjet zbatimit të normave të vendosura në emër të të gjithë shoqërisë dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me këto norma. Këto institucione, mund të vlerësohen si garantuese të sistemit të së drejtës, kur në veprimtarinë e tyre të përditshme udhëhiqen dhe garantojnë parimet e procesit të rregullt ligjor.
Parimi i procesit të rregullt ligjor, është një parim me rëndësi kushtetuese, zbatimi në praktikë i të cilit, është bërë i mundur në sajë të një sërë parashikimesh të posaçme, në ligjin procedural penal dhe civil. Nëpërmjet këtyre parashikimeve garantohet efektivisht, respektimi i aspekteve të ndryshme të procesit të rregullt ligjor, gjatë gjykimit të një mosmarrëveshjeje civile apo çështjeje penale. Në terma praktikë, vlen gjithashtu të theksohet, se iniciativa të rëndësishme janë ndërmarrë për të rritur profesionalizmin në radhët e gjyqësorit, duke siguruar trajnimin e gjyqtarëve të ardhshëm dhe atyre aktualë mbi të drejtën substanciale dhe atë procedurale, mbi aspekte të etikës profesionale si dhe të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Rishikimi gjyqësor i veprimtarisë legjislative dhe asaj administrative
Një institut shumë i rëndësishëm, për të garantuar respektimin e kushtetutshmërisë dhe/ose ligjshmërisë në praktikën e organeve shtetërore dhe të administratës publike, është ai i rishikimit gjyqësor të akteve të nxjerra prej tyre. Në këtë mënyrë, gjyqësori ka pushtet për të rishikuar aktet administrative dhe për të detyruar qeverinë të veprojë, aty ku ekziston një detyrim ligjor për të vepruar. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të akteve administrative, gjykata mund të anulojë aktin, ose të shpallë pavlefshmërinë e tij.
Për më tepër, në rrethana të caktuara, rishikimit gjyqësor mund t’i nënshtrohen edhe aktet e nxjerra nga pushteti legjislativ. Në një rast të tillë, organi i vetëm që mund të kontrollojë rregullsinë e parashikimeve ligjore, është Gjykata Kushtetuese. Ligjet e nxjerra nga Kuvendi, i nënshtrohen kontrollit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim vlerësimin e pajtueshmërisë së tyre me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj. Kjo e fundit, duhet të vlerësojë e vendosë sipas rastit, nëse ligji i kontestuar ka respektuar apo jo të drejtat dhe liritë kushtetuese të individit apo parimet dhe standardet e tjera themelore të Kushtetutës, si parimin e ndarjes së pushteteve, parimin e sigurisë juridike, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, autonominë e pushtetit vendor, e të tjerë. Në këtë mënyrë, rishikimi gjyqësor është një instrument i rëndësishëm për të garantuar nga njëra anë, kontrollin dhe ekuilibrin ndërmjet pushteteve, si një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës dhe nga ana tjetër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut prej çdo veprimi arbitrar të administratës publike. /Liberale.al