Një vend që refuzon ti përgjigjet sfidave të arsimit dhe shkencës, humb shansin për një të ardhme më të mirë. Vendet me të zhvilluara udhëhiqen nga institucione shkencore me prestigj ndërkombëtar.
E ndërsa shpenzimet për shkencën në universitet tona publike janë thuajse zero, dhjetra milionë lekë shpenzohen për të zbukuruar sallat, apo për të festuar përvjetorët e themelimit, përfundimi është dramatik. Shqipëria nuk është pjesë e hartës së vendeve që analizohen nga Times Higher Education sa i përket cilësisë së universiteteve. Pothuajse universitetet e të gjitha vende të tjera të rajonit tonë janë prej kohësh pjesë e këtij institucioni.
Në bashkëpunim me Schmidt Science Fellows, The Interdisciplinary Science Rankings u krijua për të njohur, nxitur dhe promovuar shkencën ndërdisiplinore në arsimin e lartë në të gjithë globin.
Në rëndijen botërore, Europa numëron 179 universitete me arritje shkencore, Afrika ka 78, Amerika e Jugut 60, Amerika e Veriut 57 dhe Oqeania 5.
Shtetet e Bashkuara dominojnë në krye të renditjes së re të Times Higher Education Interdisiplinary Science Rankings (ISR) 2025, të publikuar sot.
Instituti i Teknologjisë i Masaçusets zë vendin e parë dhe Universiteti Stanford është në vendin e dytë, ndërsa në total SHBA zë shtatë nga 10 pozicionet e para.
Universiteti Kombëtar i Singaporit zë vendin e tretë dhe Universiteti Teknologjik Nanyang, po i Singaporit është në vendin e nëntë. Ndërkohë, “Wageningen University & Research” në Holandë është në vendin e shtatë, duke e bërë atë institucionin arsimor të renditur më mirë në Evropë.
Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë, Universiteti Duke dhe Universiteti i Minesotës janë përkatësisht në vendin e katërt, të pestë dhe të gjashtë, ndërsa Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara është në vendin e tetë. Universiteti i Michigan-Ann Arbor mban vendin e dhjetë.
Përveç SHBA-së, Azia dëshmon se po shkëlqen si kontinent edhe në shkencën ndërdisiplinore.
Ndërsa Singapori është i vetmi komb aziatik që shfaqet në “Top 10”, Hong Kongu dhe Kina pozicionohen mjaft mirë në 20 universitetet e para. Institucioni më i mirë arsimor i renditur i Hong Kongut është Universiteti i Hong Kongut që mban vendin e 13-të dhe institucioni kryesor universitar i Kinës është Universiteti Fudan që mban vendin 16.
Azia është kontinenti më i përfaqësuar në “Top 100 me 47 universitete nga 15 vende, ndërsa 103 institucione aziatike të arsimit të lartë janë në “Top 200”. Vendet më të përfaqësuara të Azisë në “Top 100” janë India dhe Arabia Saudite, me nga gjashtë universitete secila, e ndjekur nga Hong Kongu dhe Japonia, me nga pesë secila.
Azia përfaqësohet me 370 universitete në renditje, pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të universiteteve të renditura, duke e bërë atë kontinentin më të përfaqësuar në përparimin shkencor.