Aranit Muraçi
Instituti i Statistikave publikon për herë të parë të dhënat e Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit (K&ZH), në vendin tonë. Mbledhja e të dhënave është fokusuar për secilin sektor të performancës, përkatësisht Sektori Shtetëror, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), Ndërmarrjet Private dhe Organizatat Jofitimprurëse (OJF).
Ajo që del në pah është se kërkimi shkencor në Shqipëri varet nga fondet e qeverisë. Ndërkohë që në vendet e tjera të BE-së, mbi 60 për qind e fondeve sigurohen nga bizneset dhe ndërmarrjet private, të cilët një pjesë të mirë te fitimeve i investojnë në inovacion. Ky është edhe dallimi i madh me vendin tonë, teksa produkti i kërkimit shkencor duket sikur ka më tepër vlerën e shifrave. Në fund të fundit vlera e vërtetë e shkencës vjen nga “importi”.
Interesant është edhe përfshirja në kërkim shkencor nga universitetet, ku numri i atyre me diplomë universitare është diçka më i lartë se numri i personave të angazhuar pa arsim të lartë lartë.
Të dhënat zyrtare i referohen periudhës 2021-2022, ndërkohë që në kushtet e zhvillimit të shpejtë të shkencës dhe teknologjisë, ky sektor merr rëndësi të veçantë, sidomos në sektorët strategjikë me prioritet për vendin.
Shkenca dhe teknologjia janë pjesë e çdo aspekti të jetës sonë të përditshme dhe ato, së bashku me inovacionin, ndihmojnë në trajtimin e disa prej sfidave të mëdha revolucionare dhe transformative me të cilat po përballet shoqëria. Sfida të cilat çojnë në rritjen e interesit për investime në këtë sektor, me ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë e vendit.
Personeli i angazhuar, sipas sektorëve të performancës dhe nivelit arsimor.
Në vitin 2022, 3.748 persona janë angazhuar në aktivitetin e K&ZH në Shqipëri me kohë të plotë dhe të pjesshme. Ky numër përcaktohet si numri i personave që punojnë për konceptimin dhe krijimin e dijeve, produkteve, proceseve, metodave dhe sistemeve të reja.
Në personelin e angazhuar në K&ZH gjatë vitit 2022 sipas gjinisë, 54,4 % e zënë femrat, ndërkohë gjatë vitit 2021 përqindjen më të lartë e zënë meshkujt me 50,6 %.
Gjatë vitit 2022, numri më i lartë i personelit të angazhuar në K&ZH i përket sektorit të IAL-ve (universitetet) me 81,6 %, pasuar nga Ndërmarrjet Private dhe OJF-të me 9,6 % dhe Sektori Shtetëror me 8,8 %.
Gjatë vitit 2022, Kërkuesit Shkencor zënë pjesën më të madhe të personelit të angazhuar në K&ZH me rreth 55,2 %, Personel Profesionist me 21,6 %, Personel Teknik me 10,6 % dhe Personel Mbështetës me 12,6 %.
Ndërkohë gjatë vitit 2021 struktura e personelit ishte përkatësisht, Kërkuesit Shkencor 55,3 %, Personeli Profesionist me 20,5 %, Personeli Teknik me 11,0 % dhe Personel Mbështetës me 13,2 %.
Në vitin 2022, bazuar në klasifikimin sipas nivelit arsimor për sektorin e IAL-ve, personeli me nivel arsimor “Doktorant” zë peshën më të madhe me 51,2 % dhe krahasuar me vitin 2021 është rritur me 5,2 %.
Referuar klasifikimit sipas nivelit arsimor, për Sektorin shtetëror vihet re se personeli me nivel arsimor “Master ose ekuivalent të tij” është rritur me 5,8 % gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021.
Në periudhën kohore 2021-2022, pesha më e madhe e fondeve për aktivitetetin e K&ZH, sipas strukturës së sektorëve të performancës, i është akorduar sektorit të Institucioneve të arsimit të lartë (IAL-ve) përkatësisht me 53,6 % gjatë vitit 2021 dhe 52,5 % gjatë vitit 2022.
Në periudhën 2021-2022, sipas strukturës së sektorëve të performancës, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL-të) mbajtën peshën kryesore të shpenzimeve në aktivitetin e Kërkimit dhe Zhvillimit (K&ZH), përfshirë shpenzimet korente dhe ato kapitale, duke kontribuar përkatësisht me 57,9% në vitin 2021 dhe 53,1% në vitin 2022.