Sociale

Sot 100-vjetori i ndarjes nga jeta! Avni Rustemi dhe enigma e tij: Hero i Popullit... apo “vrasës me pagesë”?!

Shkruar nga Liberale

Sot 100-vjetori i ndarjes nga jeta! Avni Rustemi dhe enigma e tij: Hero i

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta, Heroin e Popullit, Avni Rustemin.

Avni Rustemi u vra më 22 prill të vitit 1924, në zonën e njohur sot si pazari i Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, ku papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë. Ai jeton vetëm për dy ditë, por humbi jetën nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, nga njerëzit e Esat Pashë Toptanit.

Ka diskutime nëse Avni Rustemi duhet nderuar apo jo si hero, ngaqë kreu një vrasje madje e pranoi krimin, teksa ekzekutoi Esat Pashë Toptanin në Paris, edhe pse nuk u dënua për faktin se gjykata franceze vendosi nxirrte nga qelia 6 muaj pas ngjarjes dhe t’ia ngarkonte Shqipërisë gjykimin.

Shumë kundërshtarët politikë të linjës së Avni Rustemit pretendojnë se në vend të Heroit, ai duhet të ishte një “vrasës me pagesë”, madje i propozuan Kuvendit në vitin 2012 që sheshit që mban emrin e tij ku ndodhet edhe busti në Tiranë t’i ndërrohet emri. Propozim që hasi në kundërshtim të fortë të linjës së atyre që mbrojnë dhe nderojnë figurën e Avni Rustemit, çka edhe propozimi mbeti në letër dhe u harrua shpejt.    

Jusuf Reçi, teksa e vrau te sheshi që mban sot emrin “Avni Rustemi”, ishte nga Tirana, me profesion mullixhi dhe kishte marrë me qira mullirin e Esat Pashë Toptanit. Vrasja e Avni Rustemit shërbeu si një shkëndijë për fillimin e Revolucionit të Qershorit, në vitin 1924.

Shoqëria “Bashkimi”, u tregua tepër aktive pas vrasjes së Avniut dhe mori nën kontroll disa qytete të vendit, duke e detyruar Mbretin Zog që të largohej nga Shqipëria bashkë me përkrahësit e tij. Në këto rrethana, fanolistët erdhën në pushtet deri në dhjetor të vitit 1924.

Pas vrasjes së Avni Rustemit, me vendim të shoqërisë “Bashkimi”, nën kujdesin e doktor Zymës, trupit të vdekur të Avniut, iu hoq zemra, e cila u vendos në në vazo të madhe, të mbushur me formalinë. Në revoltën e parë, në prill të vitit 1924, të zhvilluar në Tiranë, zemrën në vazo e Avniut, e mbante në dorë një burrë, i cili qëndronte në krye të turmës së revoltuar nga vrasja e Avniut.

Fati i vrasësve të Avni Rustemit ishte i tillë. Në vitin 1927 Osman Bali vritet nga Myslym Peza, kurse Jusuf Reçi u vra në vitin 1947, dhe u ekzekutua me vendim të qeverisë shqiptare. Këtë fund patën që të gjithë vrasësit e patriotëve shqiptarë. Sapo u mësua për vdekjen e Avniut, u mblodh një komision, ku merrnin pjesë politikanë të dëgjuar të kohës si Fan Noli, deputetë dhe miq të Avniut, përfaqësues nga Vlora por edhe familjarë, komision ky i përbërë prej 24 burrash. Midis tyre ishte edhe Ramadan Armeni, nga fshati Armen i Vlorës, mik i ngushtë i Avni Rustemit, pasi kishin përfunduar bashkë studimet, njëherësh edhe nënkryetar i shoqërisë “Bashkimi”.

Avni Rustemi, historia e një varri

Busti i tij u lye me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi ishte mbuluar nga pluhuri dhe i dalë boje. Por vetëm busti, sepse njerëzit vazhdojnë të shkelin ende mbi varrin e tij, ndoshta pa e ditur se aty poshtë vendit ku ndodhet busti, ekziston një varr. Fjala është për bustin e Avni Rustemit, në lulishten pranë Teatrit të qytetit. Një bust, si të gjithë të tjerët, por që ka një histori jo si e shumë busteve të tjerë. Një histori që ndoshta nuk e dinë të gjithë në Vlorë, por edhe ata që mund ta dinë, ka gjasa që ta kenë harruar.

Libohovë, restaurohet shtëpia e tij e lindjes

Në Libohovë 100 vjet pasi Avni Rustemi është ndarë nga jeta ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së tij të lindjes e cila prej dekadash ishte në degradim dhe rrezikonte shembjen. Objekti dy katësh i vendosur në lagjen e sipërme të Libohovës do të shërbejë si muze për jetën dhe veprimtarinë e një figure emblematike si Avni Rustemi por edhe si muze i kohës kur ai jetoi, shtypit, politikës, lëvizjeve shoqërore. Studiuesi Niko Kotherja që drejton Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Traditcionale dhe që ndjek nga afër procesin e muzealizimit tha se muzeu do të pasurohet me më shumë dokumenta dhe aredim autentik për të përkujtuar jetën e shkurtër në funksion të çështjes kombëtare të Avni Rustemit.

“Sot inagurojmë shtëpinë muze të Avni Rustemit e cila ka pasur një fazë të saj të rindërtimit duke pasur parasysh që shtëpia prej vitesh kishte qenë e braktisur dhe e rrënuar. Ky projekt për muzealizimin e kësaj godine do të përfundojë në shtator të vitit tjetër kur do të festojmë 130 vjetorin e lindjes së Avni Rustemit dhe që njëkohësisht do të jetë e gjithë shtëpia e arreduar dhe e pasuruar me dokumenta që flasin për jetën dhe aktivitetin e tij.”- u shpreh Niko Kotherja drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.  Për të përkujtuar 100 vjetorin e vrasjes së Avni Rustemin dhe për të inaguruar çeljen e muzeut kishin mbërritur dhjetëra anëtarë të shoqatës “Avni Rustemi” nga i gjithë vendi. Bashkia e qytetit organizoi një ceremoni përkujtimore për Avni Rustemin në qendër të Libohovës pranë bustit të tij.

Veprimtaria e Avni Rustemit

Avni Rustemi lindi në Libohovë. Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909-1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912-1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”. Në vitin 1914 mori pjesë në trupat vullnetare që luftuan kundër bandave të andartëve grekë. Organizoi më 28 nëntor 1918 demonstratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër të Kalabrisë dhe më pas studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919).

Avni Rustemi njihet si drejtues i dy organizatave demokratike “Atdheu” dhe “Bashkimi” dhe si ekzekutori i Esat Pashë Toptanit në Paris në vitin 1920, ekzekutim për të cilin drejtësia franceze i dha pafajësi. Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Toptanin. Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve, duke bashkuar të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (1921). Më pas themeloi shoqërinë “Bashkimi”. Avni Rustemi vdiq pas një atentati që iu bë në Tiranë më 22 prill 1924. Në varrimin e tij në Vlorë me një pjesëmarrje të madhe të popullit u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Lëvizjes së Qershorit (1924).

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH