Sociale

Shqipëria nën pushtetin e zjarreve, rëndohet situata në gjithë vendin

Shkruar nga Liberale

Shqipëria nën pushtetin e zjarreve, rëndohet situata në

1/3 e bashkive të vendit po luftojnë me flakët në këto ditë të nxehta, ku temperaturat shkojnë deri në 43 gradë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në 24 orët e fundit ka pasur 29 vatra zjarri në 19 bashki të vendit, duke nisur nga Kukësi e Dibra deri në Selenicë e Gjirokastër.

13 vatra zjarri janë ende aktive dhe 6 janë në monitorim. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë dronët Bayraktar TB2 të Forcave Ajrore, të cilët kanë realizuar fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut.

Situata më e vështirë është në Dimal. Zjarri është në kufi të dy bashkive, Dimal dhe Berat, dhe gjatë natës flakët kanë përparuar në drejtim të disa fshatrave. Gjatë së premtes në këtë zonë është ndërhyrë edhe me një helikopter hungarez në përpjekje për të izoluar vatrën e zjarrit.

Në qarkun e Vlorës, mbi fshatin Dukat, vatra e zjarrit po mbahet në monitorim, pasi vazhdojnë të digjen trungjet e pemëve.
Në bashkinë Selenicë vazhdon të jetë aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre, në kodrat në afërsi të fshatrave Velç – Ramic – Verbas – Matogjin, të njësisë administrative Brataj. Edhe pse forcat operacionale ndodhen në këtë zonë, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit dhe për fikjen e zjarrit është e nevojshme ndërhyrja nga ajri.

Flakët e zjarrit vazhdojnë në zonën e “Liqenit të Luleve”, që është pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës dhe deri tani janë djegur më shumë se 350 hektarë.
Në bashkinë e Matit, në fshatin Zall Gjoçaj, përveç forcave të armatosura, për shuarjen e flakëve janë përdorur edhe 2 helikopterët hungarezë. Këtë të shtunë, zjarri është shtrirë në një perimetër mbi 13 km dhe rrezikon edhe banesa.

Në qarkun e Korçës vazhdon beteja me flakët në bashkinë e Devollit, në fshatin Strelcë të bashkisë së Maliqit dhe në zonën e Proptishtit të bashkisë Pogradec.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total nga zjarret janë djegur mbi 450 hektarë sipërfaqe me bimësi, rrënjë ullinj e pemë.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH