Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, i hartuar nga Ministria e Financave me mbështetjen e Bankës Botërore.
Ligji synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm për përballimin financiar të fatkeqësive natyrore, përmes ngritjes së një fondi publik në formën e shoqërisë aksionare.
Ky fond do të administrojë kontratat, mbledhjen e primeve dhe pagesat e dëmshpërblimeve për qytetarët e prekur nga tërmetet.
“Ky ligj synon të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund t’u pësohen pronarëve të banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet. Modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare. Implementimi i këtij ligji pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri.”
Projektligji i njeh AMF-së rolin mbikëqyrës mbi funksionimin e fondit, si dhe mënyrën se si ai do të operojë.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka detyrë të sigurojë unifikimin dhe standardizimin e rregulloreve dhe akteve rregullatore, të garantojë transparencën ndaj publikut, zbatueshmërinë e termave të kontratave me të siguruarit. Në rast se konstatohet ndonjë parregullsi, Autoriteti nxjerr rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së Fondit për Tërmetet.”