Është më lehtë të gjesh produkte mishi dhe produkte e nënprodukte qumështi të huaja në dyqane dhe markete sesa prodhim shqiptar.
Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij.
Vetëm gjatë vitit të kaluar janë importuar nga jashtë 35.428 tonë produkte bulmetore, vezë e mjaltë, me vlerë 68 milionë euro. Vlera këto të rritura ndjeshëm me vitet e mëparshme, pasi në 2023-shin u importuan 31 mijë tonë me vlerë 62 milionë euro vetëm tek kjo kategori.
Sasia më e madhe e importit të bulmetit është nga Italia me 22 mln euro (8 mijë tonë), ndjekur nga Greqia me 5.2 milionë euro (1.586 tonë) e më pas Serbia me 2.5 milionë euro importe bulmeti.
Gjithçka lidhet me nevojën për konsum dhe rënien e prodhimeve vendase për shkak të brktisjes së fshatit nga fermerët. Siguria është një problematikë tjetër, çka nëse shteti nuk gjen rrugën e duhur, mund të ndikojë edhe më keq në rënien e prodhimve vendase.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se ”duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”.
Një ditë më pas, ministrat Anila Denaj dhe Petrit Malaj dolën në terren për të paralajmëruar bizneset se nga nesër bulmeti pa faturë do sekuestrohet.
“Është thelbësore që ata të sigurojnë faturën e blerjes nga burimi i produktit, jo vetëm për formalizimin e biznesit, por edhe për sigurinë ushqimore. Fatura mundëson gjurmimin e produktit nga origjina deri në tryezën e konsumatorit”,- tha Malaj.
“Nëse ekziston fatura fiskale, gjurmueshmëria bëhet më e lehtë. Kjo sjell qartësi dhe siguri për konsumatorin, si dhe përgjegjësi të plotë për çdo hallkë të zinxhirit ushqimor”,- tha Denaj.
Duke u kryer i gjithë qarkullimi i produktit me faturë, qeveria thotë se do të jetë më e lehtë të identifikohen ato subjekte apo fermerë që cenojnë sigurinë ushqimore, pasi fatura zbardh origjinën e produktit. Por i gjithë ky aksion rrezikon të rrezikojë seriozisht blegtorët dhe prodhuesit e vegjël, për shkaqe që lidhen me probleme fiskale.
Ligji i vitit 2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’ i njohur masivisht si ‘fiskalizimi’, i përjashton fermerët nga detyrimi i lëshimit të faturës tatimore kur shesin produktin.
Nga ana tjetër, blerësi, i cili mund të jetë tregtar, baxho, apo grumbulluesi duhet të lëshojë faturë për bujkun në momentin që marrin prodhimin.
Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.
Shqipëria numëron më pak se 1.7 milionë krerë lopë e të imta, nga 2.4 milionë krerë para një dekade.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vitin e kaluar, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti
Kjo situatë, së bashku me shtimin e kërkesës së brendshme, ka favorizuar ndjeshëm importet. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt.