Kronikë

Skandali me FAJDET në Tiranë: Gruaja humb makinën 4 milion lekë për një borxh prej vetëm 1 milion

Shkruar nga Liberale.al

Skandali me FAJDET në Tiranë: Gruaja humb makinën 4 milion

Një grua nga Tirana ka bërë një denoncim tronditës në emisionin investigativ “Fiks Fare”,trajtuar nga gazetarja Antela Lika, ku rrëfen sesi për shkak të një borxhi prej vetëm 1 milion lekësh të marrë nga bashkëshorti i saj, ka humbur makinën personale me vlerë rreth 4 milion lekë.

Sipas denoncueses, burri i saj kishte marrë një hua nga një person me precedentë penalë, i dënuar më parë për fajde. Marrëveshja ishte që të shlyhej një shumë mujore prej 200 eurosh, por interesi rritej në mënyrë arbitrare, duke e kthyer borxhin në një spirale pa fund. Ajo tregon se burri i saj u kërcënua dhe u shantazhua vazhdimisht, ndërsa për shkak të frikës, ajo vetë nënshkroi një prokurë për përdorimin e makinës, pa ditur se kjo do të përfundonte me kalimin e lejes së qarkullimit në emrin e fajdexhiut.

Skandali me FAJDET në Tiranë: Gruaja humb makinën 4 milion

“Unë firmosa një prokurë nga frika, por më pas zbulova se ai ia kishte shitur makinën vetes. Makina ime vlente katërfishin e shumës që i kishte dhënë burrit tim. Ai s’mund të marrë pasurinë time për një borxh të paligjshëm që as nuk ishte në emrin tim”, – tha ajo për Fiks Fare.

Në përpjekje për të rikuperuar makinën, ajo kontaktoi noteren që kishte hartuar dokumentin. Por sipas saj, noterja ia bëri të qartë se kishte nënshkruar vullnetarisht një akt që i jepte të drejtën personit tjetër ta shiste makinën, madje edhe “vetes”.

Në një bisedë telefonike të publikuar nga “Fiks Fare”, personi që ka marrë makinën pranoi se nuk e ka takuar kurrë personalisht gruan. “Unë nuk të njoh ty. S’kemi fol kurrë bashkë. Fol me Lencin,” – i thotë ai. Megjithatë, ai refuzon të tregojë shumën e pretenduar si borxh dhe shprehet qartë: “Më sillni lekët që t’jua jap makinën.”

Ky është një tjetër rast klasik i fajdes dhe zhvatjes përmes shantazheve, një fenomen që sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë përbën vepër penale. Neni 143/a i Kodit Penal, i përditësuar më 3 prill 2024, parashikon se “organizimi dhe vënia në funksion e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes me qëllim fitimi material dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.”

Gruaja ka lënë Shqipërinë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme dhe thotë se jeton me frikë. Ajo i bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe medias që të mos qëndrojnë indiferente përballë këtij fenomeni që po dëmton shumë familje në vend.

“Nuk mund të lejojmë që fajdexhinjtë të bëjnë ligjin, të marrin pasuritë e njerëzve për borxhe të paligjshme, të kërcënojnë, të zhvasin dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Kërkoj ndihmë nga drejtësia që të marrë masa dhe të më rikthejë atë që më përket,” – përfundon ajo.

Liberale Newsroom

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Qeveria e re a duhet të ketë në përbërjen e saj edhe ministra nga diaspora?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH