Politikë

BIRN/ SPAK përfundon hetimet ndaj Metës dhe Kryemadhit

Shkruar nga Liberale

BIRN/ SPAK përfundon hetimet ndaj Metës dhe Kryemadhit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka përfunduar hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta, njëherazi kryetar i Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

I pandehur për këtë çështje është marrë disa muaj më parë edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, të cilit iu komunikua përfundimi i hetimeve të hënën më 28 korrik. Po ashtu, SPAK ka marrë të pandehur për pastrim parash edhe financuesen e LSI-së, Ema Çoku dhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Çokut iu komunikua akuza të hënën, ndërsa Meta dhe Kryemadhi pritet të njihen të martën me përfundimin e hetimeve.

Ish-presidenti Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA; për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni; si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me biznesmenin Samir Mane për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019. Meta i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në gjykatë në mënyrë të përëritur, duke pretenduar se po goditet politikisht.

Akuza të ngjashme ka ngritur SPAK edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja për dekada e Metës. Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv. Veç Metës që gjendet në burg, të tjerët janë hetuar në gjendje të lirë.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH