Fredi Beleri do të betohet sot si eurodeputet i Parlamentit Europian.
Ai doli dje nga burgu i Fierit, ku po vuan 2 vite dënim nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 Majit të vitit të kaluar.
Pasi u prit nga familjarët në dalje të burgut, Beleri iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke.
“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri në një pronocim të shkurtër për mediet.
Më pas Beleri udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis dhe më pas u nis drejt Strasburgut.
Kujtojmë se Drejtori i Burgjeve miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i PE.
Sipas njoftimit, leja e tij do të niste dje (15 korrik) dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.