Politikë

Ministri Gonxhja takim me drejtoreshën e ISSH në Itali/ Mbi 150 shqiptarë kanë nisur procedurat për përfitimin e pensionit

Shkruar nga Liberale.al

Ministri Gonxhja takim me drejtoreshën e ISSH në Itali/ Mbi 150

Mbi 150 shtetas shqiptarë kanë nisur tashmë procedurat për të përfituar pensionin në kuadër të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila hyri në fuqi më 1 korrik 2025.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim me drejtoreshën e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali, Valeria Vittimberga, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja lejon njohjen e periudhave të sigurimit në të dyja vendet dhe mundëson përfitimin e pensioneve sipas ligjeve kombëtare të secilit shtet.

“Shumica e kërkesave janë për bashkimin e periudhave të sigurimit në Itali, si dhe nga ata që nuk kanë mbushur minimumin prej 15 vjetësh sigurim në Shqipëri,” tha ministri Gonxhja.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur të gjithë infrastrukturën për të pranuar dhe përpunuar kërkesat, duke mundësuar komunikim elektronik me palën italiane, gjë që redukton ndjeshëm kohën e procesit dhe e bën më të lehtë shërbimin për qytetarët.

Për të ndihmuar aplikantët, janë publikuar udhëzime dhe manuale që shpjegojnë hapat që duhet të ndjekin.

Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen sociale të qytetarëve dhe synohet të zgjerohet edhe me vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH