
Kryetari i Partisë Demokratike ka uruar sot festën e Fitër Bajramit. Berisha u shpreh se pas 11 majit, nëse fiton zgjedhjet, një nga vendimet e para që do të marrë do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare.
Po ashtu ai tha se ora e faljes së të Premtes do të jetë orar pushimi.
“Erdha për të uruar Fiter Bajramin, kryetarit të Komunitetit Mysliman, hirësisë së tij Bujar Spahiu, bashkëpunëtorëve të tij dhe me këtë rast të gjithë besimtarëve që kanë agjëruar dhe gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të nderimit të përkushtimi, sakrificës së njeriut ndaj të madhit Zot, vlerave hyjnore më të mira.
E shfrytëzova rastin për të zotuar para kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe të gjithë shqiptarëve se, pas 11 majit nga vendimet e para do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare, fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht.
Sikundër një përpjekje madhore do të bëhet për rikthimin e pronave të tyre, ose kompensimin, pasi pronat e komuniteteve fetare, janë pronat më të plaçkitura në Shqipëri.
Së treti unë garantoj, dhe e garantova dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman dhe garantoj besimtarët myslimanë se, falja ditën e premte do të përcaktohet në ligj dhe në orar.
Dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me faljen në xhami do të ketë kohën e dhënë për këtë destinacion.
Pra nuk do mund të bëhet më orari zyrtar pengesë që njerëzit të falin të Premten, që për myslimanët është dita e faljes. Kjo nuk është lehtësi, por detyrim dhe do të vendoset menjëherë pas 11 majit.