Nga Anila Prethi *
Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë është një objektiv i njohur nga shumica e vendeve europiane dhe botërore, por mekanizmat konkretë për ta arritur këtë objektiv ndryshojnë nga njëri vend te tjetri. Pjesëmarrja 50 me 30 në politikën shqiptare pas disa vitesh tranzicioni shënoi një hap përpara në përfaqësimin gjinor. Megjithatë, pavarësisht kësaj kuote formale, sfidat për barazinë e vërtetë gjinore mbeten të shumta, nga mungesa e mbështetjes financiare deri te pengesat e sistemeve dhe stereotipeve gjinore që kufizojnë fuqizimin e vërtetë të grave në vendimmarrje.
Studimet e kryera nga Rrjeti i Grave “Barazia në Vendimmarrje”, me mbështetjen e NDI, tregojnë se gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pengesa të konsiderueshme në aksesin e financimit të partive politike. Studimi i tyre i vitit 2021 zbuloi se 68% e grave kandidate iu desh të vetëfinanconin fushatat e tyre duke përdorur burimet dhe rrjetet e tyre – duke përfshirë familjen, të afërmit, miqtë dhe donatorët – dhe se shumica nuk ishin në dijeni të ndonjë mekanizmi brenda partive të tyre për të pasur qasje në mbështetje financiare, duke theksuar kështu një boshllëk kritik në transparencën e brendshme të partisë në shpërndarjen/alokimin e fondeve me bazë gjinore.
Ndryshe nga Shqipëria, fqinji ynë Mali i Zi, ka shënuar një hap domethënës në mbështetjen e barazisë gjinore në politikë, duke u bërë një nga vendet e para në Ballkan që ka miratuar një fond të veçantë publik për gratë në politikë. Ky mekanizëm financiar, i cili synon fuqizimin e grave në vendimmarrje, shërben si model për rajonin, duke reflektuar një angazhim institucional për rritjen e përfaqësimit të tyre.
“Ligji për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore, Nenit 13 (Parag. 4) në kushtetutën malazeze, përmban dispozitën ligjore ku: “20% e fondeve u ndahet në mënyrë të barabartë të gjitha partive që fitojnë mandate në kuvend.
60% e fondeve shpërndahet në bazë të numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe këshilltarëve që secila parti ka në momentin e ndarjes së këtyre fondeve, ndërsa 20% -shi i mbetur ndahet duke marrë parasysh numrin e përfaqësuesve të gjinisë më pak të përfaqësuar (grave) me qëllim që të nxisë barazinë gjinore në politikë”.
Ndërkohë, neni nr. 14 i këtij ligji, parashikon që “Për financimin e aktiviteteve të organizatave të grave në partitë politike, nga buxheti lokal, ndahen 0,11% e fondeve të përgjithshme buxhetore. Në bashkitë me buxhet më të vogël se pesë milionë euro, kjo përqindje mund të shkojë nga 0,11% deri në 0,3% të fondeve të planifikuara.”
Kjo dispozitë ligjore është vënë në zbatim nga qeveria e Malit të Zi që prej vitit 2021.
Megjithëse në Shqipëri bëhen iniciativa për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë, ka ende hapësira për pabarazi në këtë fushë. Si dy vende ballkanike me histori dhe sfida politike gati të ngjashme, Mali i Zi në këtë kontekst mund të shërbejë si një model që Shqipëria ende nuk e ka përqafuar.
Por çfarë impakti ka pasur ky ligj praktikisht dhe a ka kontribuar në rritjen e numrit të grave që marrin pjesë në trajnime, debate dhe procese vendimmarrëse në Mal të Zi? A ka ndikuar në barazinë e garës zgjedhore duke i dhënë më shumë mundësi kandidateve gra?
Natyrshëm lind pyetja, po Shqipëria sa larg është në vendosjen e një dispozitë të tillë ligjore? Snežana Jonica, një politikane me përvojë dhe deputete nga viti 2009 deri në vitin 2017 në Parlamentin malazes, shprehet se:
“Këto fonde kanë krijuar kushte financiare për organizimin e programeve të mentorimit, edukimit dhe trajnimit të udhëhequra nga organizatat e grave brenda partive, duke fuqizuar gratë me njohuri për aftësitë politike, aftësi të të folurit në publik dhe kompetenca të tjera thelbësore. Kjo ka forcuar më tej potencialin e grave për të kandiduar për pozita brenda partisë dhe në role vendimmarrëse në nivel shtetëror dhe lokal.”
Por tjetër prespektivë është në vendin tonë, pavarësisht kuotave gjinore dhe reformave elektorale, sfidat financiare mbeten një pengesë e madhe për gratë që dëshirojnë të angazhohen politikisht.
Dhurata Çupi, deputete dhe ish nënkryetare e Komisionit të Ligjeve në Shqipëri, sjell një qasje ndryshe në lidhje me financimin e grave në politikë, duke theksuar se gratë përballen me një disavantazh të lartë:
“Nëse duam një sistem të barabartë, gratë nuk mund të lihen të garojnë me burime të kufizuara, ndërkohë që sistemi mbështet ata që tashmë kanë më shumë pushtet dhe ndikim, (burrat)”. Problemi kryesor që ajo nënvizon është mungesa e transparencës në ndarjen e fondeve publike.
Sipas saj, fondet që ndahen për fushatat zgjedhore nuk shpërndahen me kritere të qarta dhe shpesh gratë mbeten jashtë vëmendjes. “Ne kemi fonde publike për fushata, por shpesh ato nuk shpërndahen me kritere të qarta, dhe gratë janë gjithnjë në disavantazh për shkak të mungesës së rregullave specifike që i mbështesin.”
Në Mal të Zi, gratë që përfitojnë nga fondi kanë mundësi më të mira për të konkurruar në zgjedhje, ndërsa në Shqipëri mungesa e mbështetjes financiare i lë gratë shpesh në periferinë e politikës. Sipas Jonicës: “Pa mbështetje financiare, shumë gra do ta kishin të pamundur të kandidonin, pasi fushatat kërkojnë burime të konsiderueshme.” Nga ana tjetër, Znj. Çupi e lidh këtë me sfidat e demokracisë shqiptare: “Nëse nuk ndryshojmë rregullat e lojës, gratë do të mbeten gjithnjë në periferi të vendimmarrjes.”
Pyetjes nësë faktori “gjini” ndikon në avancimin e grave në vendimarrje, pavarësisht mbështetjeve me financime dhe fonde të dedikuara grave në politikë, Znj. Jonica ofron një rrëfim personal, duke treguar se gratë që arrijnë nivele të larta në politikë përballen me një valë të fortë kundërshtimesh. Ajo identifikon seksizmin dhe sabotimet si sfidat më të mëdha në karrierë.
“Më e keqja vjen kur më në fund bëhet e qartë për të gjithë se kemi ndikim të rëndësishëm politik. Pikërisht atëherë hyn në lojë seksizmi, sabotimi politik dhe mediatik. Unë jam përballur shumë herë me përvoja të tilla. E para ishte kur u zgjodha Sekretare e Përgjithshme e partisë sime, duke u bërë gruaja e parë që u zgjodh në udhëheqjen e partisë dhe përjetova një "rezistencë të heshtur" gjatë vitit të parë të mandatit. Hera e dytë ishte kur u emërova anëtare dhe zëvendës kryetare e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Parlamentin e Malit të Zi, gjë që më bëri, sipas pozitës, anëtare të Këshillit të Sigurisë Kombëtare – gruaja e parë e zgjedhur ndonjëherë në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në atë kohë, u përballa me pengesa gjatë emërimit tim, pasuar me dy muaj fushatë brutale mediatike dhe akuza që nuk mund t'i imagjinoja. Kundërshtari im për këtë post ishte një koleg burrë, kur u zgjodha në vend të tij, reagimet varionin nga bojkotimi i mbledhjeve të komisionit deri te një sërë fushatash dhe fyerjesh mediatike, duke përfshirë deklarata si "çfarë di ajo për sigurinë", pavarësisht nga fakti që unë jam e diplomuar në drejtësi dhe jam marrë shpesh me çështjet e sigurisë edhe para emërimit tim në komision.”
Znj. Çupi ndërkohë, e vendos problemin në një kornizë më të gjerë institucionale dhe politike, duke e parë mungesën e financimit si një nga faktorët kryesorë të iniciuar nga gjinia tjetër: “Unë jam njëra prej zonjave që kam marrë iniciativën për të shtuar në Kodin Zgjedhor, detyrimin e partive politike që të parashikojnë një përqindje të caktuar të buxhetit partiak dedikuar vetem organizatës së gruas në parti. Kjo iniciativë është refuzuar nga aktorët kryesorë politikë, natyrisht aktorët burra. Pengesa kryesore është faktori burrë që kontrollon vendimarrjen përfundimtare në parti dhe nuk dëshiron një kontroll të financave partiake nga gratë. Fuqizimi i gruas natyrisht është një e mirë publike për shoqërinë, por një pengesë për burrat jo konkurues”.
Si pasojë e një kulture politike ku transparenca shpesh shihet si opsionale, në vende me udhëheqje që ende nuk e kanë arritur një nivel të konsoliduar demokratik, ka edhe raste të keqpërdorimit për interesa personale apo partiake, ku as Mali i Zi nuk bën përjashtim. Znj. Jonica pohon se: “Disa kryetarë partish kanë tentuar të devijojnë fondet e destinuara për financimin e organizatave të grave në drejtim të aktiviteteve të tjera partiake, gjë që ligjërisht është e ndaluar, por në fakt ka ndodhur. Megjithatë, ka ende vend për përmirësim. Sigurimi i përdorimit efikas dhe transparent të fondeve të alokuara mbetet sfidë.”
Në një kohë që për Malin e Zi tashmë mbetet sfidë, mirëmenaxhimi i fondeve në mbështetje të grave në vendimarje, për Shqipërinë sfida qëndron akoma në krijimin e dispozitës ligjore, e cila do ta bënte më të lehtë përfshirjen e gruas në politikë. Znj. Çupi e mbështet këtë fakt duke u shprehur se “Duke mos e fuqizuar gruan me mbështetje finaciare dhe besim në vendimarrjen e saj, patjetër që ke ndikuar edhe në numrin e vogël të aktivizimit të saj në politikë. Stereotipia ndaj fuqizimit të gruas ende është prezente në shoqërinë tonë, e që na mbetet detyrë të angazhohemi më seriozisht edhe ne grave që ende i rezistojmë këtij presioni dhe vazhdojmë të jemi në politikë”.
Përvoja e Malit të Zi është një kujtesë interesante për politikën shqiptare, duke treguar se një ligj që mbështet gratë në politikë mund të jetë një ide revolucionare, por jo e jashtëzakonshme. Pas suksesit të këtij modeli, mund të duket si një hap shumë i natyrshëm për të implementuar një sistem të ngjashëm, duke ofruar mundësi të barabarta për gratë që të sfidojnë pabarazinë financiare në fushatat zgjedhore. Ndoshta është koha që Shqipëria të kalojë nga fjalët në vepra dhe të krijojë një ligj që do të fuqizojë realisht gratë në politikë dhe vendimarrje.
Znj. Jonica nga eksperienca në vendin e saj shprehet se: “Ligji për mbështetjen financiare për gratë në politikë në Mal të Zi mund të shërbejë si model për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Duke marrë parasysh sfidat e përbashkëta, një mekanizëm i tillë mund të rrisë pjesëmarrjen e grave në politikë”.
Nëse Shqipëria synon ta çojë më tej barazinë gjinore përtej kuotave, krijimi i një skeme financimi specifike për gratë në politikë mbetet një hap i nevojshëm dhe i vonuar. Pyetja që mbetet është: A do të ketë vullnet politik për ta realizuar atë?
* Gazetare dhe UET Alumni