Ervis Iljazaj
Pasaporta europiane, ose Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian brenda vitit 2030, është premtimi që Edi Rama dhe Partia Socialiste po u bëjnë shqiptarëve për të fituar mandatin e katërt radhazi. Madje, ky objektiv është kthyer në sloganin e fushatës së Partisë Socialiste.
Në fakt, një parti politike që ka qeverisur vendin për 12 vite normalisht duhet të bënte fushatë me bilancin e saj qeverisës dhe jo me premtime. Gjithsesi, ky premtim është ndoshta e vetmja gjë që Edi Rama mund t’iu bënte shqiptarëve duke qenë se për çdo gjë tjetër ka patur në dispozicion 12 vite dhe nuk mund t’i premtonte dot në pafundësi.
Megjithatë, rikthimi i çështjes së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në qendër të debatit të fushatës elektorale është një lajm i mirë, duke qenë se për 12 vite me radhë ishte harruar si aspiratë dhe si premtim politik. Edhe për faktin se, për 12 vite Partia Socialiste ka dështuar në procesin e integrimit të Shqipërisë. Vetëm pas 12 viteve kemi arritur që të hapim negociatat.
Fushatat e fundit të Partisë Sociliaste janë zhvilluar më shumë duke marrë në gojë kundërshtarët dhe jo me një premtim konkret, shpesh herë duke i kthyer ato në një betejë banale me batuata e kundër batuata.
Por për këtë premtim që Edi Rama ka dy pyetje që duhen ngritur. E para , a është vërtetë e mundur që brenda kaq pak vitesh të hapen dhe të mbyllen të gjithë kapitujt e negociatave që të bëjnë të mundur integrimin e Shqipërisë në BE. Shembujt e vendeve të tjera të rajonit tregojnë që jo. Asnjë vend nuk i ka hapur dhe mbyllur të gjithë kapitujt në kaq pak kohë sa premton Kryeminstri ynë për Shqipërinë.
Por gjithsesi edhe nëse Shqipëria ka aftësinë që t’ja dalë brenda kaq pak kohe, a varet pasaporta europiane e shqiptarëve vetëm nga Edi Rama dhe qeveria e tij?
Për 12 vite me radhë Edi Rama e ka justifikuar ngadalësimin e procesit të integrimit në BE me idenë se Europa nuk ishte gati. Shumë herë publikisht Edi Rama është shprehur se ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë por në BE nuk bien dakord me njeri tjetrin, apo se kontesti nuk është i përshtatshëm për zgjerimin. Pra, çelja e negociatave dhe integrimi nuk varej nga qeveria e tij. Përse kësaj here varet ai duke qenë se e premton me siguri?
Ndoshta kësaj here Kryeminsitri ynë mendon se kontesti gjeopolitik është i përshtatshëm për zgjerimin e BE. Gjithsesi ka një kontradiksion në të gjithë këtë histori. Kur ne dështojmë është faji i Europës ndërsa kur ne na hapen negociatat është meritë e qeverisë. Por megjithatë, konteksti gjeopolitik i Europës, por edhe përtej saj, është në një dinamikë që askush nuk mund ta parashikojë. Prandaj të jesh i sigurt se Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në BE, sepse kushtet gjeopolitike na lejojnë, është të bësh fallxhorin dhe jo politikë.
Edhe për faktin se integrimi i Shqipërisë në BE nuk varet vetëm nga një parti politike, por kërkon bashkëpunimin e gjithë klasës politike sepse shumë reforma kërkojnë një vullnet të përbashkët. Nëse pretendojmë që Shqipërinë në BE mund ta çojë vetëm një parti politike, jemi totalisht në rrugën e gabuar. Madje, ky lloj mentaliteti, konkurrenca dhe jo bashkëpunimi në këtë drejtim, e ka lënë Shqipërinë kaq gjatë jashtë Europës.
Kështu që premtimi se Shqipëria do të jetë anëtare e BE brenda viti 2030 më shumë ngjan me një dëshirë se sa një mundësi që varet vetëm nga Partia Socialiste dhe Edi Rama. Por gjithsesi më mirë t’iu premtosh shqiptarëve BE edhe pse nuk varet nga ty se sa tallavanë, timonin apo slogane të tilla që i kemi dëgjuar në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.