
Kryeministri Edi Rama, në nisje të takimit me shqiptarët e Athinës, u premtoi atyre se pas zgjedhjeve do të kthehet për të bërë një festë falënderimi. Kreu i qeverisë tha se do të kthehet gjithashtu për t’iu thënë atyre se nuk e deshi votën e tyre thjesht për të qëndruar në karrige, por për të realizuar ëndrrën evropiane.
Rama thotë se me pasaportën evropiane, do uleni në çdo tryezë të BE si shqiponja.
Edi Rama: Shqipëria është një vend ku njerëzit bëjnë zgjedhjet e tyre të lira dhe shkojnë në një vend tjetër për një jetë më të mirë. Duke ardhur këtu në Greqi, ju bëtë një zgjedhje shumë të guximshme dhe të vështirë. Bëtë një zgjedhje që t’i hynit detit me këmbë. Por duke bërë këtë zgjedhje, ju shtuat fuqitë e Shqipërisë atje që të ngrihet dhe të ecë më shpejtë. Tani unë dua t’ju them një gjë, nëse doni të dini se për çfarë ka nevojë Shqipëria më 11 maj, të çoheni një moment dhe të bëni historikun e thjeshtë tuajin dhe familjes tuaj. Të ktheheni një moment mbrapa dhe të merrni pak minuta për të gjithë kapitujt e jetës këtu. Të gjithë kanë parë momente të rrugës, ku vështirësitë, ku poshtërimet kanë qenë të patregueshme dhe për të ardhur në ditën që fqinjët tuaj rreth e rrotull që ju t’ju thoni mirëmëngjes, ju është dashur të luftoni gjatë, sepse keni thënë mirëmëngjes kur ju thoshin plaç. Sot të gjithë ju i jeni imponuar lagjes, rrugës, atij këndit ku hyni dhe dilni përditë me fëmijët tuaj, sepse sot ju keni arritur të jepni respekt siç keni dhënë gjithmonë, por të merrni respekt siç nuk merrnit në krye të herës.
Kreu i qeverisë u shpreh se sot Shqipëria e ka në dorë fatin e vet.
Edi Rama: Sot Shqipëria është një vend që e ka në dorën e vet fatin e vet dhe nuk është në mëshirën e askujt. Sot fati ynë është në dorën tonë. Kur ne morëm detyrën, Shqipëria ishte e zhytur në borxhe, kishte një borxh rreth 80% dhe të gjitha punët kishin ndalur, të gjitha shërbimet kishin ndalur, të gjitha ato planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur të gjitha rrugëve, se ishin prerë shiritat por nuk ishin vënë në dispozicion paratë.
/Liberale.al