Gjatë ditës së sotme, Policia e Tiranës ka gjetur motorin e djegur të autorit/ëve të vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi mbrëmjen e djeshme në zonën e Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Policia bën me dije se motori është gjetur i shkrumbuar në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë kontrollit të zonës.
“Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Kujtojmë se Nasufi ishte pronar i një mobilerie dhe ekzekutimi i tij ndodhi teksa ai ishte me bashkëshorten e tij në makinë, pranë derës së shtëpisë.