Një 43-vjeçar shqiptar, i akuzuar për tentativë vrasjeje, është arrestuar nga autoritetet italiane në kufirin Ventimiglia, teksa po kthehej nga Franca drejt Italisë.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi disa ditë më parë në parkingun e qendrës tregtare Gran Reno në Casalecchio, ku pas një debati të ashpër për një grua shqiptare, ai goditi me thikë një 29-vjeçar shqiptar. Viktima ndodhet ende i shtruar në spital me një prognozë 30-ditore, ndërsa nuk përjashtohen komplikime të mëvonshme.
Hetimet e karabinierëve të kompanisë Borgo Panigale nisën menjëherë pas sulmit dhe, megjithëse autori ishte identifikuar, ai ishte larguar nga Italia, duke u strehuar përkohësisht në Francë.
Policia italiane kishte lëshuar një urdhër paraburgimi nga Prokuroria e Bolonjës, i cili u ekzekutua në kufi. Shqiptari akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pasi sulmin e kreu me një thikë të padeklaruar.
Në ditët në vijim, i arrestuari do të merret në pyetje, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit që përfundoi në përgjakje.