Një ditë pas arrestimit, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra nga fshati Zenisht i Matit, Petrit Çakrri ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Burime për mediet bëjnë të ditur se në deklarimin që gjendet në dosjen hetimore, Çakrri pranon se në kohën e ngjarjes ka qenë në zonën e Matit, por që sipas tij nuk kishte dijeni për çështjen e 23-vjeçarit.
“Unë nuk e njihja personalisht viktimën dhe nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. E mora vesh pastaj se çfarë kishte ndodhur. Kristi Bushgjokajn e kam njohur në burg, ndërsa vëllezërit e tij i kam njohur më pas. Atë ditë kemi dalë për të siguruar një sasi droge nëpër fshatra. Rrugës jemi ndarë në dy makina. Vëllezërit Bushgjokaj hipën në një makinë tjetër dhe mua më kërkuan që të largohem. Nuk e di çfarë ka ndodhur më pas”, mësohet të jetë shprehur Çakrri para grupit hetimor.
Deklarimet e Petrit Çakrrit përputhen edhe me lëvizjen e automjeteve të identifikuara nëpërmjet kamerave të sigurisë.
Ndërsa i arrestuari tjetër për ngjarjen, Fation Bushgjokaj ka dhënë pak deklarime para grupit hetimor teksa mësohet se ka pranuar njohjen me 23-vjeçarin Renis Dobra në Gjermani. Ai thotë se kanë bërë punë të paligjshme, por nuk ka dhënë detaje rreth konfliktit të tyre.
Kujtojmë se janë shpallur në kërkim për këtë ngjarje, edhe dy vëllezërit e Fatjonit, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj, të cilët dyshohet se janë larguar jashtë vendit nëpërmjet Kosovës.
Mbrëmjen e 8 korrikut, Renis Dobra u rrëmbye pak metra larg banesës së tij në fshatin Zenisht të Matit.
Dyshohet se tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri e dhunuan barbarisht dhe e hodhën bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit, por trupi i pajetë mbeti pak metra larg ujit, aty ku u gjettë nesërmen.