Një ditë pas zbulimit të krimit tronditës në Frashër të Fierit, ku vajza vrau babain duke e mbytur me tel, policia ka arrestuar edhe nënën e 26-vjeçares, Emanilda Rama.
53-vjeçarja Valbona Rama ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, Anesti Rama, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.
Valbona Rama akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, një ditë më parë policia vuri në pranga 26-vjeçaren. Krimi makabër ndodhi rreth orës 23:00 të së mërkurës, në banesën e familjes Rama, por u zbulua një ditë më pas.
Fillimisht, e reja njoftoi policinë se i ati, Anesti Rama, kishte vdekur aksidentalisht në banesë. Por hetimet e policisë zbuluan se bëhej fjalë për një vrasje dhe se vajza, së bashku me nënën, kanë inskenuar ngjarjen si aksident.
Emanilda Rama ka deklaruar fillimisht se babai ishte rrëzuar në tualet duke gjetur vdekjen. Mësohet se vajza, së bashku me nënën, e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.
Kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, policia ka parë mavijosje në qafë dhe në trupin e viktimës, nga ku kanë lindur dyshimet se vdekja nuk ishte natyrale.
Gjatë deklaratës në polici, e reja tregoi dhe motivet që e çuan të ndërmerrte aktin ekstrem. Sipas saj, i ati e trajtonte me fanatizëm duke mos e lejuar të vishej siç ajo donte. Emanilda Rama u tha hetuesve se babai nuk i jepte para për t’u argëtuar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pas vrasjes, shtetasja V. R. ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.