SPAK zhvilloi mbrëmjen e sotme një operacion për trafik ndërkombëtar droge, ku bëhet fjalë për sasi të mëdha kokaine.
Janë lëshuar 7 urdhër-arreste, 4 persona janë arrestuar, 2 masa sigurie janë komunikuar në burg dhe një person është shpallur në kërkim.
Dy prej tyre janë vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani.
Një tjetër i arrestuar është Ermir Ndreaj. Sakaq, personi i katërt ende nuk është bërë i ditur emri i tij. Ndërsa një tjetër person është në kërkim nga policia.
Përveç këtyre arrestimeve janë kapur ora të shtrenjta, bizhuteri dhe makina luksoze. Gjithashtu, në qelitë e burgut i janë komunikuar akuza të reja dy të burgosurve Plarent Dervishaj dhe Erion Alibej.
Kanë qenë dëshmitë e këtij të fundit, që kanë çuar SPAK në goditjen e këtij grupi kriminal, pasi Alibej ka rrëfyer për dhjetëra ngjarje si dhe për trafikun e drogës. SPAK ka në dorë dëshminë e tij dhe biseda në aplikacionin Sky Ecc.
Plarent Dervishaj po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, ndërsa Erion Alibej akuzohet për disa vrasje me pagesë, por që ka statusin e të penduarit.