Vajza e tjetër e Anesti Ramës, i cili u vra nga e bija e tij, Emanilda Rama, ka folur në lidhje me ngjarjen tornditëse, e zbardhur nga policia vetëm një ditë më parë.
Ajo ka rrëfyer se motra, autorja e krimit, e telefonoi dhe i tha se babai ishte rrëzuar në tualet, por pa i dhënë detaje të tjera dhe më pas tregoi se telefonoi nënën, Valbona Rama, e cila i tha se ai kishte ndërruar jetë.
“Më mori motra në telefon dhe më tha që babi ka rënë në banjë, më pas e fiku telefonin, marr mamin në telefon dhe i them është gjallë? Jo më tha ka vdekur, flisja shpesh në telefon nuk pashë të kishte gjë, nuk kuptova as edhe një gjë, me babin kam folur gjithmonë. Babai jetonte në shtëpi bashkë me motrën dhe mamin, babai punonte, edhe mami, edhe motra.”– tregoi ajo.
Theksojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 23 korrikut, ndërsa në orën 01:00 është telefonuar policia.
Sipas hetimeve, e reja tentoi ta fshihte ngjarjen makabre, duke deklaruar para policisë se i ati kishte ndërruar jetë aksidentalisht. Emanilda Rama, 26-vjeçarja ka deklaruar se babai ka rënë në tualet dhe ndërroi jetë. Së bashku me nënën e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar nënë e bijë, të cilat pritet të dalin para gjykatës në ditët në vijim.