Rreth 50 forca policore nga Tirana, Vlora dhe Saranda po zhvillojnë prej disa orësh një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj apo “Dane”. 43-vjeçari akuzohet për plagosjen me armë të dy personave në Sarandë, ngjarje që ndodhi të enjten në lagjen nr. 4 të qytetit.
Zoto hapi zjarr katër herë ndaj Gëzim Hajdarajt, 33 vjeç, dhe Ernest Lamës, 25 vjeç, të dy nga Kamza, pas një konflikti të mëparshëm. Të plagosurit u transportuan në gjendje të rëndë drejt Tiranës me helikopter. Hajdaraj ishte gjithashtu i armatosur, por nuk arriti të kundërpërgjigjej.
Kontrollet janë përqendruar në fshatin Gjashtë dhe në rrugën “Butrinti” në Sarandë, por deri tani pa sukses.
Ramadan Zoto është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai është përfshirë në disa ngjarje kriminale që nga viti 1997. Në vitin 2005 vrau një shtetas shqiptar në Athinë dhe tre vite më vonë shkëmbeu zjarr me policinë greke. Po ashtu është lidhur me grabitje me armë dhe mbajtje të lëndëve narkotike. Në 2019 u kap në Greqi me armë, drogë dhe një makinë të vjedhur. Pas burgut, u rikthye në Sarandë, ku është proceduar disa herë edhe nga policia shqiptare.
Autoritetet vazhdojnë operacionin për kapjen e tij, ndërsa ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.