Një operacion ndërkombëtar i koduar “The Wanted” ka çuar në arrestimin e Juxhin Drazhit, një 34-vjeçar shqiptar i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge. Drazhi, i cili dyshohet se është një nga drejtuesit e një bande kriminale, u kap nga Garda Civile spanjolle në një vilë luksoze në Almuñécar, Granada.
Lajmi konfirmohet edhe nga Policia e Shtetit, e cila, nëpëmjet një njoftimi pë shtyp, bëri të ditur se: “Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Hetimi nisi pasi u vunë re masa të larta sigurie në një pronë të izoluar. Oficerët zbuluan se i dyshuari kishte qëndruar brenda shtëpisë, duke përdorur bashkëpunëtorë për t’u furnizuar me gjithçka që i nevojitej, me qëllim shmangien e arrestimit. Shtëpia luksoze ishte e pozicionuar në një lartësi, duke i ofruar atij një pikë vëzhgimi për çdo afrim të mundshëm të policisë.
Drazhi ishte fshehur në një shtëpi me masa të larta sigurie, e pozicionuar në një lartësi që i jepte mundësi të vëzhgonte rrethinat. Gjatë operacionit, ai u përpoq të arratisej duke vrapuar nëpër mal, por u kap nga forcat policore informon Lavanguardia.
Gjatë kontrollit të pronës, u gjetën dokumente të falsifikuara (pasaportë dhe patentë shoferi), sende luksi dhe një armë zjarri me silenciator dhe karikatorë.
Aktualisht, autoritetet spanjolle dhe shqiptare po bashkëpunojnë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Lidhjet e dyshuara të Juxhin Drazhit, me 10 pasuritë e sekuestruara nga SPAK
Prokuroria e Posaçme (SPAK) sekuestroi 4 muaj më parë 10 pasuri të shoqërisë “Majestic Konstruksion”, duke ngritur dyshime të forta se ato i përkasin familjes së Juxhin Drazhit, i arrestuar së fundmi në Spanjë si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal për trafik kokaine.
Gjatë hetimeve, SPAK zbuloi një lëvizje të dyshimtë të aksioneve të kompanisë “Majestic Konstruksion” në vitin 2021. Pronari i saj, Nazmi Shahini, rezulton se ka shitur 100% të aksioneve te Arben Drazhi, babai i Juxhin Drazhit. Dy muaj më vonë, aksionet i janë rishitur sërish Nazmi Shahinit. Këto transaksione janë kryer pa praninë e një noteri publik.
Për shkak të kësaj lëvizjeje, SPAK dyshon se kompania dhe të gjitha pasuritë e saj, duke përfshirë toka dhe biznese, janë në pronësi të familjes Drazhi. Si pasojë, në maj 2025, SPAK mori vendimin për sekuestrimin e këtyre pasurive.
Që nga 27 maji, 10 pasuritë e shoqërisë “Majestic Konstruksion” janë vënë nën administrimin e Zyrës së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara. Arben Drazhi është larguar nga ky pozicion pas vendimit të SPAK.