Një person është paraqitur pasditen e sotme në spitalin e Korçës me plagë në disa pjesë të trupit.
Policia pasi nisi hetimet për ngjarjen ka njoftuar se 29-vjeçari Kostika Ruko ka marrë plagë nga goditjet me thikë dhe në sulmin ndaj tij kanë marrë pjesë dy persona.
“Rreth orës 17:10, shtetasi K.R., 29 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, dyshohet i dëmtuar me mjet prerës, thikë nga dy shtetas ende të paidentifikuar”, informon policia.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur përballë me ish-liceun francez, ku sipas policisë dy persona kanë qëlluar me mjete prerëse 29 vjeçarin duke i shkaktuar plagë në krah dhe në pjesët e barkut.
Burime pranë spitalit të Korçës bëjnë me dije se 29 vjeçari ndodhet në reanimacion nën kujdesin e mjekëve.
Për momentin nuk bëhet me dije asgjë lidhur me shëndetin e tij. Policia në vendin e ngjarjes dhe pret të shohë kamerat e sigurisë të shkollës dhe bizneseve përreth për të arritur tek autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.