Kronikë

SPAK çon për gjykim ish-deputetin Jurgis Çyrbja, i akuzuar për rrjedhje sekretesh dhe korrupsion zgjedhor

Shkruar nga Liberale.al

SPAK çon për gjykim ish-deputetin Jurgis Çyrbja, i akuzuar

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për një dosje të rëndë që lidhet me rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion zgjedhor. Tre persona do të përballen me gjykatën: ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Sipas SPAK, Jurgis Çyrbja akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë rrjedhjen e përsëritur të sekreteve shtetërore, ndihmë për autorët e krimeve dhe korrupsion aktiv gjatë zgjedhjeve. Gjatë viteve 2020–2021, ai dyshohet se ka nxjerrë informacione të ndjeshme nga sistemet e policisë dhe i ka shpërndarë ato në platformat e enkriptuara “Sky ECC” dhe “Matrix”.

Po sipas SPAK, Çyrbja kishte lidhje të ngushta me Altin Hajrin, aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ai dyshohet se i ka ofruar ndihmë Hajrit për të ndikuar te drejtësia, në këmbim të mbështetjes në fushatën zgjedhore, një veprim që përbën korrupsion zgjedhor.

Ndërkohë, i pandehuri Ahmet Masha akuzohet për bashkëpunim në rrjedhjen e sekreteve dhe ndihmë për persona në kërkim gjatë marsit 2021.

Hetimet zbuluan se tre të pandehurit kanë bashkëvepruar në të paktën tetë raste të ndryshme, duke ndihmuar persona të kërkuar që të shmangnin arrestimin përmes dekonspirimit të operacioneve të policisë.

SPAK njofton se hetimet janë mbështetur edhe nga autoritetet e Francës, Holandës, Belgjikës, si dhe nga Eurojust dhe Europol, të cilët kanë ndihmuar në analizimin e komunikimeve të koduara.

Dosja tashmë është dërguar në gjykatë, ku pritet të zhvillohet procesi për këtë çështje që ka ngjallur interes të lartë publik.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH