Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 3:00 mëngjesin e sotme në autostradën Fier-Lushnje, në afërsi të fshatit Saver. Në aksident janë përfshirë dy automjete, duke lënë të plagosur shtatë persona, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Lushnjës.
Sipas burimeve paraprake, një furgon tip “Benz” që i përkiste një kompanie udhëtimesh dhe po transportonte pasagjerë drejt aeroportit të Rinasit, është goditur nga pas gjatë një parakalimi nga një automjet tjetër, tip “Benz AMG 63”. Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti luksoz është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar panik tek kalimtarët dhe pasagjerët.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikësja, të cilët bënë të mundur fikjen e flakëve dhe transportimin e të plagosurve në spital. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Gjendja shëndetësore e tre prej të plagosurve raportohet të jetë më e rënduar, ndërsa pjesa tjetër është jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në rrugët kombëtare për të shmangur ngjarje të tilla tragjike.