Policia e Shtetit u angazhua në megaoperacionin ndërkombëtar “ICARO.AL”, i iniciuar nga autoritetet italiane kundër një grupi kriminal që trafikonte kokainë me automjete nga Amerika e Jugut për ta shitur më pas në Itali dhe në shtete të Europës Qendrore.
Tashmë në kuadër të këtij megaoperacioni janë arrestuar 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë, ku 5 shtetas shqiptarë janë arrestuar në vendin tonë si pjestarë të këtij grupi, me qëllim ekstradimin.
Në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, Strukturat për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, ato të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Tiranë, si dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me SPAK-un, vunë në pranga shtetasit:
Igli Dervishi, 30 vjeç, banues në Elbasan;
Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, banues në Elbasan;
Ervin Dema, 40 vjeç, banues në Elbasan;
Edmond Zhuja, 41 vjeç, banues në Shkodër;
Genti Berisha, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Më tej, si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë, u vu në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.
Në koordinim me partnerët, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi,
Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan SPAK, për veprime të mëtejshme.