Vijojnë përplasjet në protestën e opozitës e cila po zhvillohet në kufijtë e mosbindjes civile në Tiranë. Ishin fillimisht deputetët e PD të cilët u përplasën fizikisht me uniformat blu te Kryeministria, që përbënin kordonin te selia qeveritare.
Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës. Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant policia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë, me destinacion selinë e PS-së ku u hodhën flakadanë dhe bomba molotov.
Te selia e PS u dogj edhe banderola me foton e Edi Ramës. Marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov.