Një ndjekje spektakolare policore përfundoi me aksident mesditën e sotme në rrugën “Andon Zako Çajupi”,në Bllok, Tiranë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, ndjekja nisi nga shërbimet e policisë ndaj një automjeti që nuk i ishte bindur urdhrave për ndalim. Skena u zhvillua përpara syve të qytetarëve, duke krijuar panik në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Gjatë përpjekjeve për t’i shpëtuar ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka kryer manovra të rrezikshme në trafik, duke përfunduar në përplasje me katër automjete të tjera. Përplasja ndodhi në një nga segmentet më të ngarkuara të Bllokut, duke shkaktuar kaos të përkohshëm në qarkullim dhe shqetësim për kalimtarët.
Policia ka rrethuar zonën dhe po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plota. Deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar rëndë, ndërsa mjeti që po ndiqej është sekuestruar.
Nuk dihen ende motivet e ndjekjes, por më shumë detaje priten nga njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës.