Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij në tryezën e Kuvendit me krerët e institucioneve të pavarura, kërkoi përmirësim të marrëdhënieve mes këtyre institucioneve dhe Parlamentit.
Çela e ka cilësuar marrëdhënien mes institucioneve të drejtësisë dhe Parlamentit, një proces delikat, ndërsa shtoi se duhen marrë në konsideratë praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian, apo vende të cilat kanë kaluar procese të ngjashme të integrimit dhe janë ndeshur me sfida të tilla.
“Është një proces delikat sepse sa kohë flitet për pavarësinë e institucioneve dhe kornizë kushtetuese ligjore të miratuar pak vite më parë që është duke u testuar dhe që besoj deri tani ka qenë funksionale.
Do të donim që hapat që do të ndërmerren në vijim të jenë mjaft të kujdesshëm. Duke marrë në konsideratë dhe qasjen tonë në atë që si ne vlerësojmë marrëdhënien tonë me Kuvendin. Pa diskutim Kuvendi është ai që i bën ligjet, ai që shikon nevojën për ndryshimin e tyre dhe ne do vazhdojmë të jemi kontribues pozitiv në çdo proces. Procesi i integrimit paraqet sfida të reja e mund të lindë nevoja për të përshtatur komunikimin tonë ndërinstitucional. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se nëse procesi kërkimor që do të bëhet për çfarë nuk shkon mirë e të përmirësohet, të merrte në konsideratë eksperiencat më të mira në BE, apo vendeve që kanë kaluar procese të ngjashme të integrimit dhe janë ndeshur me sfida të tilla”, u shpreh Çela.