Ditën kur Erion Veliaj u la në burg nga apeli i GJKKO, në makinën me të cilën kryetari i bashkisë po transferohej nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO në Tiranë, një nga oficerët e burgjeve që shoqëronte kryetarin e bashkisë i ka dhënë këtij të fundit telefonin e tij me qëllim që kryebashkiaku i Tiranës të bënte telefonata.
Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një fakt të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika.
Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim oficerët e burgjeve, të cilët shoqëronin kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë që më 13 mars, Gjykata e Apelit në Gjykatën e Posaçme hodhi poshtë kërkesën për lirim përkundrejt garancive pasurore të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrrest me burg të caktuar nga shkalla e parë një muaj më parë.
Veliaj, është një nga politikanët më të lartë të vënë nën hetim apo të arrestuar deri më sot në vend. Prokuroria thotë se ai dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të vet të afërm apo personalisht, pagesa apo të mira të tjera nga biznesmenë të ndryshëm në nëntë raste. Veliaj i mohon akuzat dhe pretendon se është shënjestër e një prokurorie të padrejtë.
Gjatë seancës kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media.