Nga Aranit Muraçi
Nuk u deshën ditë për të rritur çmimet në vendin tonë, kur për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike çmimet u rritën në tregjet globale. Mjaftuan vetëm disa orë. Ashtu siç ka ndodhur dhe po ndodh me naftën dhe produktet e tjera të hidrokarbureve, e njëjta histori po përsëritet edhe me produktet e shportës bazë, të konsumit të përditshëm.
Rënia e çmimeve në tregjet globale nuk po reflektohet me të njëjtën shpejtësi në vendin tonë, madje rënia e tyre rrezikon që të mos reflektohet kurrë. Rritja e çmimeve ka ulur konsumin kudo në Europë dhe botë. Për të shmangur rënien e konsumit, qeveritë anembanë botës kanë nisur të shpërndajnë bonuse dhe të ardhura shtesë për shtresat më të goditura dhe më të prekura nga kriza e çmimeve. Bëhet fjalë për qytetarë me të ardhura të pakta, që nuk përballojë jetesën.
Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash në një periudhë të caktuar, arriti në 7.4% që ishte edhe niveli më i lartë në 20 vjet. Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet kryesore si e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese. Në vendin tonë ka ndodhur një sjellje më e veçantë, sepse, edhe pse është rritur çmimi, është rritur konsumi i bukës, kjo për të ulur konsumin e disa prodkuteve të tjera të papërballueshme si mishi.
Disa operatorë të bareve dhe restoranteve thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve, përgjatë bregdetit aty ku është përqendruar pjesa e popullsisë që konsumon më tepër në këtë periudhë të vitit. Rënia e konsumit në periudha afatgjata ul produktivitetin dhe çon ekonominë e një vend në kolaps, ndaj edhe është detyrë e qeverive që të stimulojnë konsumin, duke i ardhur në ndihmë konsumatorit.
Rënia e ndjeshme e çmimeve në tregjet globale
Çmimet e ushqimeve ranë ndjeshëm në korrik, në tregjet globale, duke shënuar rënien e katërt radhazi mujore që kur ato arritën nivelet më të larta rekord, në fillim të vitit, pas luftës në Ukrainë, raportoi të premten Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).
Agjencia e OKB-së ka publikuar Indeksin e saj të fundit të Çmimeve të Ushqimit. Barometri që gjurmon ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të pesë mallrave kryesore të ushqimeve: drithërat, vajrat vegjetale, produktet e qumështit, mishi dhe sheqeri, tregon ndjeshëm rënirn e çmimit për secilën prej tyre.
Indeksi ishte mesatarisht 140.9 pikë në korrik, ose 8.6 pikë më poshtë krahasuar me muajin qershor. Rënia e çmimeve për vajrat bimorë, por edhe të drithërave, vjen falë marrëveshjes së fundit të ndërmjetësuar nga OKB për eksportet e grurit ukrainas. “Rënia e çmimeve të mallrave ushqimore ishte e mirëpritur, veçanërisht kur shihet nga pikëpamja e aksesit të ushqimit,” tha Maximo Torero, Kryeekonomist i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë.
“Megjithatë, mbeten shumë pasiguri, duke përfshirë çmimet e larta të plehrave që mund të ndikojnë në perspektivat e ardhshme të prodhimit dhe jetesën e fermerëve, një perspektivë e zymtë ekonomike globale sikurse edhe të lëvizjeve të kursit të këmbimit të monedhave, të cilat të gjitha paraqesin tendosje serioze për sigurinë globale të ushqimit.”
Në korrik, indeksi i çmimeve të perimeve sipas FAO-s u ul me 19.2 për qind krahasuar me qershorin, duke shënuar nivelin më të ulët në 10 muaj. Kuotimet ndërkombëtare për të gjitha llojet e vajit ranë, tha agjencia. Edhe çmimet e vajit të palmës janë në rënie për shkak të perspektivave të disponueshmërisë së bollshme të eksportit jashtë Indonezisë.
Çmimet e vajit të lulediellit gjithashtu ranë ndjeshëm mes kërkesës së ndrydhur globale për importe, pavarësisht pasigurive të vazhdueshme logjistike në rajonin e Detit të Zi. Vlerat e vajit vegjetal u ulën gjithashtu paralelisht me uljen e çmimit të naftës bruto.
Indeksi i çmimeve të drithërave reflektoi gjithashtu një rënie prej 11.5 për qind muajin e kaluar, megjithëse mbeti 16.6 më i lartë për qind mbi korrikun 2021. Çmimet e të gjitha drithërave në indeks ranë, të udhëhequra nga rënia e çmimit të grurit. Çmimet botërore të grurit ranë deri në 14.5 për qind, tha FAO, si reagim ndaj marrëveshjes Rusi-Ukrainë për eksportet e grurit nga portet kryesore të Detit të Zi, si dhe për shkak të disponueshmërisë sezonale nga korrjet e vazhdueshme në hemisferën veriore.
Korriku pati gjithashtu një rënie edhe për drithërat e tjerë. Misri ra me 10.7 për qind, kjo falë edhe rritjes së disponueshmërisë sezonale në Argjentinë dhe Brazil. Gjithashtu çmimet ndërkombëtare të orizit ranë për herë të parë këtë vit. Indeksi i çmimeve të sheqerit ra me gati katër për qind. Tendenca rënëse u ndikua edhe nga treguesit për eksporte më të mëdha dhe perspektiva të favorshme prodhimi në Indi. Ndërkohë, moti i nxehtë dhe i thatë në vendet e Bashkimit Evropian ngjalli gjithashtu shqetësime për rendimentet e panxharit të sheqerit dhe parandaloi rënie më të mprehta.
FAO raportoi më tej se Indeksi i Çmimeve të Qumështit ra me 2.5 për qind “mes aktivitetit të dobët tregtar”, megjithatë mesatarisht çmimi i tyre mbetet 25,4 për qind mbi korrikun e kaluar. Ndërsa çmimet e qumështit pluhur dhe gjalpit ranë, çmimet e djathit mbetën të qëndrueshme, të nxitura nga kërkesa e lartë për në destinacionet turistike evropiane.
Indeksi i çmimeve të mishit gjithashtu ra në korrik, me 0.5 për qind nga muaji qershor, për shkak të dobësimit të kërkesës për importe për mish gjedhi, dele dhe derri. Në të kundërt, çmimet ndërkombëtare të mishit të shpendëve arritën një nivel të lartë të të gjitha kohërave, të mbështetura nga kërkesa e fortë globale për importe dhe furnizimet e pakta, për shkak të shpërthimeve të gripit të shpendëve në hemisferën veriore.
Nëse çmimet po bien dhe po shkojnë në nivelet e para luftës në Ukrainë, a mund të ngrihen dyshime të forta mbi tregjet oligopol të importuesve vendas që fitojnë padrejtësisht në kurriz të konsumatorit dhe më keq akoma nuk ka transparencë për të kuptuar se pse nuk bien, ose nuk bien mjaftueshëm sikurse rriten me shpejtësi çmimet në Shqipëri kur ato pësojnë rritje në tregjet ndërkombëtare? /Liberale.al/