Letërsi

Sheshi i Padovës, Rudolfi dhe piedestali 88

Shkruar nga Liberale
Sheshi i Padovës, Rudolfi dhe piedestali 88

Mark Simoni

Qyteti i vogël i Padovës (Itali), nuk e ka luksin të ketë një park a shesh të madh, por ka fisnikërinë e madhe që nga ajo pak sipërfaqe e vogël e qytetit, t’u falë shkrimtarëve dhe filozofëve, njerëzve të dijes dhe të kulturës, parkun e pestë më të madh të Europës (‘Pratto della valle’, 90 mijë metër katror), për t’u vendosur aty 88 statujat e njerëzve më të famshëm të lindur në Padova apo të ‘mëdhenjve’ të Italisë, që kaluan një pjesë të jetës dhe punës së tyre në këtë qytet. Aty janë poetë, shkrimtarë, dramaturgë, filozofë, mjekë, komediografë, përkthyes e gjuhëtarë, fizikantë e astrologë, që nga Tit Livi, Torquato Tasso, Petrarca, Galileo, si babai i shkencës moderne (observatorin e të cilit e kam vizituar në Padova), Dantja, që ishte në ekzil politik në atë qytet në 1306 dhe strehohej tek shtëpia e piktorit të famshëm Giotto (shtëpinë e të cilit e kam parë që para 30 vitesh) etj.

S’ka në këtë park asnjë statujë tregtari a zyrtari shteti, asnjë pasanik e fajdexhi të famshëm apo njeri të politikave. Fare, fare, asnjë! Ata, siç duket, janë konsideruar kalimtarë dhe jo përcaktues në famën dhe prestigjin e qytetit, janë gjykuar si minorë dhe jo aq të denjë për t’i dhënë famë e fisnikëri emrit të Padovës. Ndërsa, krejt në tjetër mënyrë, janë respektuar poetët dhe shkrimtarët, filozofët dhe humanistët, shkencëtarët dhe mjekët.

Ky park, që më ka frymëzuar sa herë kam qenë atje, mu kujtua sot, kur mësova se Rudolf Marku, ish-mësuesi im i Letërsisë në gjimnaz, një nga poetët, shkrimtarët dhe përkthyesit më të mirë sot në letërsinë tonë, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Lezhës”. Titujt jepen për të nderuar dikënd, por edhe vetë titujt kanë nevojën të nderohen. Dhe, për të nderuar titujt, ato duhet t’u jepen vërtetë vetëm personaliteteve që i japin zë, i japin seriozitet dhe dimension qyteteve të tyre. Rasti i Rudolfit është ndër rastet më fatlume, që titulli këtë radhë ka shkuar në vendin e duhur, dhe ky titull ndjehet krejt mirë e i përfaqësuar me dinjitet.

Lezha e ka shtëpinë e letërsisë me emra që i bëjnë nder nderit, ndaj dhe mendoj se kjo shtëpi është patjetër njëfarë parku në miniaturë i “Pratto della valle”-s.

Por mos të harrojmë dhe të ngutemi në dhënie titujsh pa kriter, mbasi atje në Padova, statuja e fundit, e 88-ta, është “Piedistallo vuoto” (piedestal bosh), që pret aty prej dy shekujsh personazhin që vërtetë e meriton atë vend, por që deri më tash asnjë se ka përmbushur akoma atë nderim.

Në shkretëtirën e emrave komunar të njerëzve, që herë vinin nga kalendarët e vjetër fetarë a herë të tjera nxjerrë prej romanesh, librash e filmash, emri Rudolf më pati stepur. Isha fëmijë kur pata rënë në këtë emër krejt të veçantë për veshët e mi, e aq më tepër që ky njeri shkruante dhe vjersha dhe i botonte në gazetat e Tiranës. Në qytetet e vogla çdo gjë që lidhej me emrin e Tiranës, kishte një madhështi të veçantë, kishte ca mister distance, dhe ky vend më dukej sikur qe diku përtej atdheut. “Me i shkru letër Tiranës”, “Me u vizitu në doktor të Tiranës”, “Me shku në eskursion në Tiranë” (Në Tiranë, pra, bëheshe një farë turisti), dhe që ky turist kthehej në provincë me panine të bardha.

Unë nuk jam mekanicist, që të mendoj se njeriun e bën emri apo në emrin e tij është nukli psikologjik dhe karakterial i tij. Unë mendoj se është njeriu që bën emrin e vet, por asnjëherë nuk e shmang impresionin dhe impaktin që ka një emër i veçantë. Unë personalisht njoh Ler Martinin, një shkodran të lindur në vitin 1943, që në certifikatën e lindjes kishte emrin e pagëzimit të tij, Hitler Martini. Dhe unë, pavarësisht se e njihja në normalitetin e tij, asnjëherë nuk shkula dot nga subkoshi im energjinë që më jepte emri i tij i veçantë.

Mbaj mend se një psikolog gjerman më pati thënë për skuadrën e tyre të para shumë viteve, në kohën kur luante Bekenbauer, se “… pothuaj të gjithë lojtarët tanë kanë emrat zanatesh, dhe duket se pas emrit të tyre janë me mijëra zanatçinj, ndaj dhe ekipi ynë nuk duket si prej 11 vetësh, por si një ushtri që vërshon vetëm për fitore. Emrat ndikojnë jo pak në psikologji”.

Rudof Marku, qysh në krye të herës, nuk e la vetëm emrin të bënte përshtypje, por, (ashtu si Rembrandi që u jep ton tipareve të personazheve me të kuqen e tij), ky njeri e pasuroi emrin e tij me historinë e tij, që kalonte nëpër rrafshe të thella dijesh dhe kulture, talenti të fortë dhe një rruge andrallash krijimtarie dhe leximesh e përkthimesh të pafund. Sa më shpejt ta kuptosh se sa e pamjaftueshme është një bibliotekë e vogël, se sa e ngushtë është një lagje me rrugicat me kalldrëm, se sa i vogël është një qytet që i rri ngushtë botës tënde të madhe, aq më shpejt tenton t’i shpëtosh rrezikut që të mos mbetesh një herë e përgjithmonë në provincën e kulturës, të dijeve, në provincën e kësaj bote të pafund. Dhe nuk ka komardare më të sigurtë se sa dijet, për të të nxjerrë në bregun tjetër të asaj bote që ti kërkon. E kam përmendur dhe në një ese timen të para gjashtë viteve, se “libri është stil lirie”.

Rudolf Marku e ka kuptuar shumë më herët se të tjerët këtë devizë, e ka miqësuar shumë shpejt këtë shpëtimtar. Ky autor ka qenë dhe mbetet ndër shkrimtarët më të kulturuar, madje kultura e tij më rikonfirmon thënien e Murakamit se ‘letërsitë e mëdha dhe të vërteta shkruhen nga njerëz të kulturave të gjera e të mëdha’. Rudolfi është tipiku që na e konfirmon këtë tezë. Barrë të tëra librash, diturish dhe gjuhësh të huaja, udhëtime virtuale dhe të vërteta në toka interesante dhe të largëta, një talent krejt specifik e i veçantë, kanë konfiguruar dhe ndërtuar këtë shkrimtar të njohur që kemi ne sot.

Më kujtohet se sapo opinioni ynë mësoi kalkun VIP (Very Important Person- Person i rëndësisë së veçantë), çdokush u turravrap të etiketonte si të tillë çdolloj njeriu që i dukej i rëndësishëm, pa menduar dhe pa e ditur mirë se njerëzit VIP janë të veçantë, të pazëvendësueshëm, të papërsëritshëm, krejt të dallueshëm prej të tjerëve. Sado i lartë çoftë dikush në hierarkinë e shtetit, në postin e tij ai është i zëvendësueshëm, i heqshëm, i pensionuar, ndërsa shkrimtarët, kompozitorët, piktorët, janë krejt vetja e tyre e veçantë, janë rrallësia e vetvetes, janë të pazëvendësueshmit. Ka dëgjuar njeri se në vend të Lasgush Poradecit apo Frederik Rreshpjes kemi emëruar dhe vënë dy poetë të tjerë, apo thotë ndokush se Mitrushin dhe Anton Pashkun i kemi zëvendësuar me filanin dhe me filanin? Kur ikin të mëdhenjtë e krijimit nga kjo botë, vendi mbetet bosh, në pazëllin e hartës së madhe mungon forma e tyre.  Të gjithë e dimë se kur turma ra në gjunjë, i vetmi që nuk bëri temena dhe qëndroi pip në këmbë qe Saadiu, që u prezantua se ai qe ndrysh nga të tjerët, qe Poeti.

Rudolfi qe rrebeli në letërsi dhe jetën e tij, një rrebelim substancial, i vërtetë dhe karakterial, aspak si farsë, qe një rrebelim si akt revolte, si antikonformizëm, si frymëzim për të tjerët për të qenë ndryshe nga uniformiteti. Ndaj dhe letërsia e tij ka shenja, sinjale, gjeste të shumta të modernizmit dhe të ekstravagancës estetike dhe letrare.

Popujt e kombet, ndryshojnë nga njëri-tjetri në shumë e shumë gjëra dhe jo thjesht vetëm si terma. Dhe pikësëpari në atë që, më shumë se çdo gjë, kombet janë tërësia e personaliteteve që kanë nxjerrë prej vetes. ‘Këto personalitete janë pesha specifike e një kombi’, thotë Izajah Berlin.

Ndër to, të shenjtë shkrimtarët. Kanë diçka prej perëndish. Rrobaqepësi francez ka dyqind vite që përmendet, vetëm e vetëm se Balzaku ia shkroi emrin në romanin e tij, ndërsa kryepolicit të Parisit ia dinë emrin prej dy shekujsh, mbasi ai mori pjesë dhe mbajti arkivolin e Hygoit. Ky është bekimi që shkrimtarët e mëdhenj u kanë dhënë atyre dy burrave; emrat e tyre pa Balzakun e Hygoin, do të kishin humbur pa nam e pa nishan.

Lagjia ‘Arcelle’, në veri të Italisë e ka pjesën më të madhe të saj të mbushur me rrugë e sheshe që mbajnë emra kompozitorësh, dhe quhet zona e muzikantëve. Emra të famshëm, statuja, simbole muzike, detaje e muze, të urbanizojnë shijen me magjinë e muzikës. Ndërsa Shkodrës, që në njëqind metër rrugicë në Gjuhadol, i kanë lindur njëmbëdhjetë Artista Populli, dhe asgjë, asnjë shenjë, asnjë pllakë, dhe jo më muze e salltanete të tjera. Lezha e Fishtës dhe Mjedës, kurrgjë.  E dimë të gjithë Jan Kukuzelin, artistin e famshëm të Durrësit dhe emrat e tjerë të dëgjuar të atij qyteti. Por thjesht, nëse ai qytet do të kishte edhe një tufë rrugësh të emërtuara, qoftë dhe me emrat e lundërtarëve të famshëm që i ranë botës kryq e tërthor, (pra rruga Vasko De Gama, Kristofor Kolombi, Ameriko Vespuçi, Marko Polo etj), a nuk do t’i jepnin akoma më tepër atij qyteti shijen e detit dhe krenarinë e portit tonë më të madh?

Do të ndjehesha fatlum dhe do të kuptoja se gjërat po ndryshojnë për mirë, vetëm atëherë kur, në ftesat që më vijnë për promovime librash në librarinë “Frends Book House”, të mos shkruhej më shënimi plotësues dhe shpjegimi se “Libraria ‘Friend’s Book House’ ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë”, por, kur ndonjë ditë të më thërrisnin në Drejtorinë e Policisë dhe në fletë-thirrje të shkruhej edhe shpjegimi se: “Drejtoria e Policisë ndodhet pranë librarisë “Friend’s Book House””. Do të ndjehesha mirë atëherë kur, më shumë qytetarë të Lezhës të dinin emrin e shkrimtarit Rudolf Marku, se sa emrin e policit, shefit të Komisariatit të atjeshëm.

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH