Kryesore

Receta italiane për krizën

               Publikuar në : 09:07 - 01/11/19 liberale

Gjithnjë në krah të Shqipërisë për çeljen e negociatave, kryeministri italian bën gjithashtu thirrje për zgjidhje të krizës politike. Platformë e nisur nga maxhoranca për dialog dhe pa kushte nga ana e opozitës. Kjo në të mirë jo vetëm të Reformës Zgjedhore, por edhe perspektivës europiane të vendit, do të thoshte dje nga Roma, Giuseppe Conte, pasi u takua me kryeministrin Rama. Këshillat që vijnë nga Italia u bashkohen prioritetit të së emëruarës për ambasadore të ShBA në Tiranë pak ditë më parë e po ashtu nëntë pikave gjermane, që i kanë kthyer sytë nga zgjidhja e krizës politike në Tiranë.

Pasi e cilësoi gabim historik vendimin negativ të Brukselit dhe premtoi se Italia do të bënte gjithçka mundej për të arritur hapjen zyrtare të negociatave, kryeministri italian Giuseppe Conte do të ndalej edhe tek kriza e brendshme politike në Shqipëri, duke i ofruar receta italiane zgjidhjeje kryeministrit shqiptar, gjatë vizitës së këtij të fundit në Romë.

E pat përmendur edhe në Tiranë, gjatë vizitës që erdhi pak ditë para samitit të liderëve të BE-së se nevojitej dialog pa kushte dhe se duhet të ishte maxhoranca ajo që i propozonte opozitës një platformë për zgjidhje.

Dje, nga kryeqyteti italian, kryeministri Conte do t’i bënte thirrje opozitës të gjenin gjuhën e dialogut veçanërisht për miratimin e Reformës Zgjedhore.

“Kam inkurajuar në mënyrë të përsëritur kryeministrin Edi Rama për një ftesë të hapur me opozitën, me qëllim zhbllokimin e problematikave që prej kohësh pengojnë Shqipërinë të ecë në rrugën e reformave të nisura, në veçanti reformës zgjedhore. Dhe po i lejoj vetes si kryeministri i një vendi që ka një traditë miqësie shumë të gjatë dhe te forte me Shqipërinë… i ripërsëris edhe një herë ftesën forcave opozitare, të ndjekin të njëjtën qasje, me shpirt konstruktiv dhe nëse më lejoni, pa kushte”, do të deklaronte shefi i qeverisë italiane në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama.

Conte theksoi edhe njëherë qasjen e tij nga vendimit të Brukselit, ku Franca vuri veton për t’u thënë “jo” dy shteteve ballkanike, se ishte gabim historik, ndërsa shtoi se perspektiva e Ballkanit është në Bashkimin Europian. Njësoj e cilësoi edhe tre ditë më parë, gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërsa premtoi se Italia do të luftonte për një vendim pozitiv për të dy vendet në Këshillin Europian.

Këshillat e kryeministrit italian për zgjidhjen e krizës politike vijnë në të njëjtën frymë me ato të Bundestagut gjerman, që e kapërcyen sugjerimet për të marrë formën e kushteve që qeveria shqiptare do të duhej të përmbushte për çeljen e negociatave. Pika e dytë e nëntë të tillave ishte miratimi gjithëpërfshirës me të gjitha forcat politike i Reformës Zgjedhore dhe zbatimi i saj në zgjedhjet e ardhshme. Opozita jashtëparlamentare, e cila premtoi se do të bënte gjithçka kishte në dorë për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Gjermania, mori pjesë në tryezën teknike mbi Reformën Zgjedhore organizuar nga OSBE, ku edhe prezantoi disa propozime që kulmonin me ngritjen e një strukture të posaçme ndërkombëtare. Më pas kreu i PD-së, Basha do të sqaronte se opozita e bashkuar kërkonte një strukturë në nivel ekspertësh dhe jo vendimmarrësish. Pak ditë më vonë, propozimet e shpalosura në tryezën e OSBE-së do të shkonin në zyrën e kryeministrit si paketa antikrizë e opozitës, ndërsa Basha do t’i drejtohej atij me thirrjen “pranoje, ose hap krahun”.

Vendimi negativ i BE-së për të mos i çelur negociatat me Shqipërinë dhe duke mos dhënë një datë të ardhshme për procesin, për opozitën ishte dështim personal i kryeministrit Rama, por megjithatë Basha i qëndroi deklaratave të mëparshme se opozita mbetej e angazhuar në Reformën Zgjedhore dhe se nëntë kushtet e Bundestagut ishin rruga në të cilën do të ecte opozita. E megjithë deklaratat për angazhim në Reformën Zgjedhore dhe qëndrimin unanim bashkë me aleatët, që shprehnin gatishmërinë të përfshiheshin në dialog, PD vendosi të mos çojë përfaqësues në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke e cilësuar jo legjitim dhe në po të njëjtën ditë mblodhi ekspertë të opozitës për hartimin e një drafti, ndërsa maxhoranca paraqiti një të tillë me 52 ndryshime nga Kodi aktual Zgjedhor, por duke lënë jashtë një nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, për ndryshimin e ligjit që do i hapte udhë emërimit mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

Ndërkohë kryeministri Rama ka folur gjithnjë për miratimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe miratimin e tyre në parlament para dhjetorit, ndërsa ndryshime të tjera të propozuara nga opozita brenda dhe ajo jashtëparlamentare – nëse do të përfshihet – do të lihen për një fazë të dytë.

Kreu i selisë blu në deklaratat e tij ka theksuar se nuk e sheh të keqen në Kodin Zgjedhor. Sipas tij korniza ligjore është e plotë, por mungon vullneti politik. Basha është i mendimit se zgjidhja e krizës kërkon vullnet politik

“Opozita ka përgatitur tash dy vjet një platformë për reformën zgjedhore që është shumë më shumë se ndryshimet në kodin zgjedhor apo penal. Duhet të përfshijë një transformim të thellë politik që të çojë vendimmarrjen te qytetarët shqiptarë dhe të krijojë mekanizmat me anë të cilave kurrë më të mos përsëritet një krizë e tillë”, do të deklaronte më herët kryetari i PD-së.

Zgjidhja e krizës politike është një nga tre prioritetet e së emëruarës së presidentit Trump për ambasadore të ShBA-së në Tiranë.

Para senatit amerikan, Yuri Kim do të shprehej se do t’i shtynte liderët e politikës shqiptare, në terma të menjëhershëm drejt zgjidhjes së ngërçit politik. Qëndrimi i së emëruara që pret konfirmimin nga senati vjen pas neutralitetit që ShBA ka ruajtur deri më tani, të mendimit se krizën e brendshme do të duhet ta zgjidhin institucionet, duke iu referuar ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Kim thotë se nxitja e saj për zgjidhjen e krizës do të jetë në një mënyrë që forcon perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim me BE.

Megjithëse kriza politike dhe rezultatet e Reformës në Drejtësi ishin boshti i nëntë kushteve gjermane dhe presidenti Macron do të nënvizonte se nuk ishte bërë mjaftueshëm me reformat, kryeministri Rama e ka parë vendimin si politikë e brendshme e BE-së dhe idesë për reformim të unionit, i pavarur nga arritjet e dy vendeve kandidate.

Por ndërsa kriza politike ka hyrë në muajin e nëntë, pasi partitë e opozitës vendosën të djegin në bllok mandatet parlamentare për të nisur një seri protestash në rrugë, ndërkombëtarët kanë nisur të bëjnë thirrje për dialog mes palëve.

Të parët që e ngritën zërin dhe ofruan madje ndërmjetësimin e tyre ishin deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU, Ëadephul dhe Schmidt, të cilët sugjeruan dialog pa parakushte, por edhe pa tabu, siç mund të ishte kërkesa e opozitës për largimin e kryeministrit Rama.

Pak ditë më parë në Tiranë, kryeministri italian Conte do të shprehej se vëmendje e Italisë, por edhe e Europës është e fokusuar dhe drejt aftësisë së Shqipërisë për të zgjidhur krizën e që do të tregonte shenja pjekurie politike dhe institucionale.

Besoj se shumica dhe opozita kanë interes që ta arrijnë këtë me mjetet e tyre”, do të thoshte Conte nga Tirana, ndërsa hodhi idenë e parashtrimit të një platforme nga shumica qeverisëse për rifillimin e dialogut.

Por deri më tani ftesa e maxhorancës është e kufizuar në Reformën Zgjedhore, ndërsa Rama ka bërë të qartë qëndrimin e tij se zgjedhjet do të jenë më 2021-shin, ndërsa opozita vijon të flasë për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa opozita flet për vullnet politik por pa pranuar të ulet në dialog me Ramën si kryeministër.

Edhe pse vendit nuk iu hapën bisedimet për anëtarësim me BE-në dhe Macron është kundër zgjerimit të mëtejshëm , kryeministri Rama është zotuar të vijojë në perspektivën europiane e po ashtu edhe kryeopozitari Basha për përmbushjen e nëntë pikave gjermane. i zhgënjyer nga BE, Rama megjithatë po riforcon lidhjet me fqinjët anëtare të unionit, ku fillimisht u takua me kryeministrin grek Mitsotakis, i cili gjithashtu shprehu se Greqia është pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe së fundi u takua me kryeministrin Conte.

Çështja e hapjes së bisedimeve do të jetë temë kryesore në samitin e Zagrebit, në maj të vitit që vjen, ndërsa Shqipërisë i duhet të tregojë në mos përmbushjen e të gjitha kushteve gjermane, të paktën përpjekjet se po punon në drejtim të tyre dhe zgjidhja e krizës politike është një prej tyre.

Nga pensionet te transferimi i të burgosurve shqiptarë, marrëveshjet që firmosën Rama-Conte

Fokusi i takimit të kryeministrit Edi Rama me homologun e tij italian, Giuseppe Conte ka qenë intensifikimi i marrëdhënieve në fusha të ndryshme, kjo e materializuar në marrëveshje konkrete. Gjatë konferencës së përbashkët midis dy krerëve të qeverive, u bë e ditur nga ana e Conte se janë nënshkruar disa marrëveshje në sektorin e ekonomisë, drejtësisë/ policisë dhe kulturës. Më konkretisht, është rënë dakord krijimi i një komisioni ekonomik dy palësh i përhershëm me synimin për të sjellë investime të reja italiane në Shqipëri.

“Fuqizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të tona, sidomos në fushën ekonomike, ku Italia është partner i parë i Shqipërisë. Ekziston vullneti i përbashkët i të dyja palëve. Të krijojmë një komision ekonomik të përhershëm dy palësh për investime të tjera në Shqipëri nga ana e kompanive italiane. Ky mund të jetë një instrument për të ndihmuar ndërmarrjet tona që kanë dëshirë të investojnë më shumë dhe më mirë dhe kanë ndonjë shqetësim. Qëllimi është që të përballojmë edhe ato aspekte negative që kanë dalë në pah që mund të krijojnë një pengesë për investitorët italian në Shqipëri”, tha Conte.

Një tjetër marrëveshje është edhe në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptar, i cili njoftoi se kjo marrëveshje është vënë në zbatim, ku një i burgosur është në nisje e sipër dhe se do të ndodhë shumë shpejt. Pensionet, ku Rama kërkoi njohjen e sigurimeve shoqërore, dhe intensifikimi i marrëdhënieve kulturore ka qenë edhe dy temat e tjera që janë diskutuar në këtë konferencë.

“Do të punojnë bashkarish edhe në fushën e pensioneve, për të shkëmbyer informatat e duhura. Një vajtje qarkore, kemi shumë shtetas shqiptar që kanë jetuar për një kohë të gjatë këtu dhe që kthehen në Shqipëri, kjo favorizon një lëvizje virtuoze dhe një shkëmbim përvojash. Marrëveshje në firmosjen e një teksti që do të favorizojë njohjen e titujve shqiptar në Itali dhe krijimin e titujve të përbashkët si dhe të doktoratëve të bashkëqeverisur. E duam shumë këtë marrëveshje që do të promovojë shumë intensifikimin e marrëdhënieve kulturore, do të përforcohet oferta akademike. Kjo marrëveshje që mund ta plotësojmë brenda pak kohësh, e rëndësishme jo vetëm për Shqipëri, meqë të diplomuarit tonë dhe profesorët do të kenë mundësi që të japin mësim në një vend afër Italisë, në një vend mike. Krijimin e një hapësire arsimore adriatiko-joniane”, përfundoi Conte.

“Në Itali janë gjysmë milioni shqiptar dhe 31 mijë, pronar të kompanive private. Afro 300 mijë prej tyre në arkën e shtetit italian, 115 mijë mësojnë në shkollat italiane, 10 mijë studentë shqiptar ndër më të mirët ndër studentët e huaj. Për këtë arsye mendoj që meritojnë të falënderojmë Italinë, për fjalët dhe veprat e kuptimplotë në drejtim të integrimit të plotë të shqiptarëve në Itali, e rëndësishme dhe çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh. Është konfirmuar nga kryeministri dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për të përmbushur sa më shpejt”, tha Rama.

Italia do kërkojë në BE rihapjen e temës së negociatave me Tiranën dhe Shkupin

Kryeministri italian Giuseppe Conte deklaroi dje se vendi i tij do të kërkojë në çdo takim të ardhshëm të Këshillit Europian që të merret në shqyrtim hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Bashkimin europian.

Këto komente zoti Conte i bëri gjatë një deklarate në përfundim të takimit në Romë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, dy ditë pas një takimi të njëjtë që ai pati dhe me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. Ndërsa ripohoi se sipas tij, mosmarrja e një vendimi dy javë më parë, ishte një “gabim historik”, kryeministri italian theksoi se perspektiva e zgjerimit mbetet instrumenti më i mirë për integrimin e plotë të dy vendeve ballkanike si dhe për të garantuar një zhvillim të sigurt e të besueshëm. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back