Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian. Shefi i qeverisë deklaroi se situata në veriun e Kosovës është e rrezikshme, por sipas tij prania e forcave të KFOR-it atje është diçka shumë e mirë.
Nga Spanja Rama u tregua kritik ndaj BE-së, duke thënë se duhet të kishte reaguar pasi Serbia shpalli ditë zie kombëtare për vdekjen e anëtarëe të grupit terrorist gjatë përplasjes me policinë në veri të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar sepse është situata e rrezikshme, tani është një pikë ku vit pas viti potenciali i rrezikut është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku pakica serbe është më tepër e përqëdruar, tani janë lidhur me axhendën politike kështu që është shumë e rrezikshme.
Në këtë rast ka nevojë që autoritetet e Kosovës të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko-gjerman që është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin.
Por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë ka deklaruar ditë zie për anëtarët e grupit kriminal paramilitar që vrau policin, është e mjaftueshme për të thënë që kjo nuk është europiane, nuk është e pranueshme”.-deklaroi kryeministri.
I pyetur nëse i druhet një lufte, Rama ju përgjigj: “Lufta është fjalë shumë e madhe, por përpara se të jetë vonë duhen ndërmarrë disa hapa. Ne jemi duke e ndjekur nga afër”.