
Teksa bota po ndryshon me ritme të shpejta, në zgjedhjen që studentët bëjnë për universitetin ku do të ndjekin studime, po ndikon shumë një faktor i ri: ndërkombëtarizmi
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është një proces në transformim të përhershëm, që i përgjigjet në mënyrë efektive shqetësimeve të sektorit. Procesi i të mësuarit, mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, si dhe ndërlidhjet mes tyre janë të rëndësishme.
Promovimi dhe nxitja e një eksperience globale të të nxënit, që është kualitative, me shanse të barabarta për të gjithë, mund të ndihmojë përgatitjen e të diplomuarve për të jetuar dhe kontribuar me përgjegjësi në një shoqëri globale të ndërlidhur. Gjithkush brenda sektorit të arsimit të lartë, mund të japë një kontribut të çmuar në procesin e ndërkombëtarizimit, duke punuar në bashkëpunim, si një bashkësi akademike ndërkombëtare. Individët ndikojnë në proces me një mori faktorësh të tillë si, identiteti personal, kultura, gjuha dhe eksperiencat e tyre unike, të cilat mund të pasurojnë dhe përmirësojnë mësimin, mësimindhënien dhe hulumtimin shkencor. Kështu, përgjegjësia për ndërkombëtarizimin e Arsimit të lartë, është përgjegjësi si e akademisë ashtu edhe e individëve.
Ndërkombëtarizimi përbën prioritet në axhendat e universiteteve në mbarë globin. Ky proces ka rëndësi në krijimin e një arsimi të lartë të qëndrueshëm, në nivel kombëtar. Më pas, rrjedhimisht investimi në një arsim të lartë kombëtar kualitativ, përkthehet në zhvillimin e një kombi dhe popullit të tij. Një aspekt shumë i rëndësishëm që përmirësohet nga investimi në fushën e ndërkombëtarizimit është gjithashtu zhvillimi i aftësive të individëve për të konkuruar në një treg global. Ndërkombëtarizimi bën pjesë në ato procese integrale për mirëqenien ekonomike, që nxitet dhe mundësohet nga liberalizimi i tregtisë ndërkombëtare. E gjithë kjo situatë çon në marrëveshje bashkëpunimi mes universiteteve, në ndryshimin e procesit të mësimdhënies konform trendeve dhe zhvillimeve teknologjike, ofrimin e kurseve që mund të ndiqen nëpërmjet internetit, në formimin e shoqërisë së dijes – një shoqëri që është e përqëndruar në përhapjen e njohurive që do të përmirësojnë kushtet e njerëzve etj.
Ndërsa rëndësia e këtij procesi është rritur me kalimin e kohës, institucionet e arsimit të lartë i përgjigjen një sfidave të globalizmit me një shumëllojshmëri strategjish komplekse, si dhe me organizimin e një sërë aktivitetesh të krijuara në emër të ndërkombëtarizimit. Në të vërtetë, gjetja e mënyrave për të çuar më zhvillimet që vijnë me ndërkombëtarizimin, duke zvogëluar rreziqet dhe pengesat, është bërë një sfidë e rëndësishme për sektorin e arsimit të lartë.
Universitetet që kanë pjesë të prioriteteve çështjet e ndërkombëtarizimit janë përgjithësisht më të preferuar nga maturantët që zgjedhin të ndjekin për herë të parë studimet në ciklin e lartë, por edhe të gjithë individët e tjerë të cilët kanë vendosur të bëhen pjesë e një universiteti në ciklet e ndryshme të studimit. Kjo përshkak të mundësive të shumta për një edukim cilësor që të tilla universitete ofrojnë.
Mobilitieti falë programeve të shkëmbimit studentor është një nga aspektet e ndërkombëtarizimit. Erasmus+ është një program i BE i cili mbështet edukimin, sportet, trajnimet dhe zhvillimin e të rinjve. Kjo skemë ofron mundësi për njerëz të të gjitha moshave, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë dhe ndajnë njohuritë apo përvojën e tyre institucione dhe organizata në vende të ndryshme. Përvoja ndërkombëtare e fituar përmes studimit, vullnetarizmit ose punës jashtë vendit jep një nxitje të madhe për vetëbesimin dhe pasurimin e CV-së, duke krijuar një avantazh për të qenë më i suksesshëm, në një treg pune që është global dhe konkurrues.
Ata të cilët përfitojnë nga ky mobilitiet, i cili zgjat për një periudhe kohore nga 3 deri në 10 muaj, kthehen në universitetin e tyre më të motivuar, më të pavarur dhe më të sigurtë, me aftësi gjuhësore më të zhvilluar dhe me një rrjet ndërkombëtar miqsh. Erasmus+ parashikon që nga shkëmbimi të përfitojnë edhe stafet akademike, krahas studentëve. Ndonëse mobiliteti është një nga aspektet më të njohura të ndërkombëtarizimit, universitetet përshtaten me trendet e kohës dhe me ritmet e shpejta të ndryshimit si në sferën sociale, ekonomike ashtu edhe atë teknologjike. Këto ndryshime të shpejta kërkojnë nga universitetet që strategjinë e ndërkombëtarizimit ta zgjerojnë edhe më tej, në bashkëpunime me universitete kombëtare, ndërkombëtare por edhe interkontinetale edhe në fusha si; të tilla si diplomat e përbashkëta, mbështetja për ndërtimin e kapaciteteve, programet e përbashkëta të kërkimit, mundësitë për të studiuar në distancë etj.
Nisur nga këto përfitime që ofrojnë unversitetet të cilët e kanë ndërkombëtarizimin prioritet, tashmë studentët e kanë më të thjeshtë të jenë më pranë Europës apo më pranë universiteteve ndërkombëtare ku aspirojnë të jenë pjesë./Gazeta Liberale