I penduari i drejtësisë siç e njeh tashmë opinioni publik, Nuredin Dumani ditën e sotme po jep dëshminë e tij në GJKKO për dosjen “Plumbi i artë”. Gjatë seancës Dumani po pyetet për episode të ndryshme ndërsa është pyetur edhe për deklarimet e tij në policinë e Elbasanit kur është arrestuar. Ai ka theksua se nuk iu ka kthyer përgjigje atyre që i cilëson si të korruptuar.
Gjatë dëshmisë ai rrëfeu se kur u arrestua e dërguan në spitalin e Fierit pasi ishte plagosur. Më pas e drejtuan drejt Ushtarakut në Tiranë, ku kanë shkuar për ta takuar dy zyrtarët policorë Ardian Çipa, Tonin Vocaj, si dhe prokurori Kreshnik Ajazi.
Pjesë nga dëshmia e Dumanit:
Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para policisë në Elbasan kur u arrestuat?
Nuredin Dumani: Nuk i kam kthyer përgjigje të korruptuarve.
Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para prokurorisë në Elbasan kur u arrestuat?
Nuredin Dumani: Kur jam arrestuar më çuan në spitalin e Fierit, isha i plagosur. Pastaj shkova në spitalin ushtarak. Tre persona, Ardian Çipa, Tonin Vocaj dhe Kreshnik Ajazi erdhën të më takonin. Pas arrestimit, deklarimet e para i kam bërë të spitali i burgut.
Dumani më tej ka folur në lidhje me planin dhe detajet se si u pajis me mjetet dhe armët për vrasjen e Elton Kiles në Elbasan. Ai u shpreh se Suel Çela ishte i interesuar të vriste Kilen i cili njihej me emrin Oti. Dumani gjithashtu është shprehur se Otin e njihte personalisht dhe se i kishte blerë një makinë.
Ai me tej zbuloi gjithashtu se një shef krimesh në Elbasan i jepte informacione për Talo Çelën. Zyrtarin policor ia ka prezantuar Henrik Hoxha, dhe se ai i kërkonte 10 mijë euro në muaj për informacione.
“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja.
Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishtë shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një dite para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di”, ka thënë Dumani.