Në qytetin e Gramshit, disa fëmijë kanë përfunduar në spital me temperaturë të lartë dhe të vjella, duke ngritur dyshime serioze për një rast helmimi. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit, dhe disa prej tyre u mbajtën në kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit të rëndë.
Një prind ka theksuar se nuk e dinte se kishte edhe fëmijë të tjerë në të njëjtën gjendje shëndetësore si fëmija i tij, dhe këtë e mësuan vetëm pasi mbërritën në urgjencë. Ai shtoi se kopshti nuk i kishte njoftuar për asgjë.
“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjelluri. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje,” tha ai.
Prindërit shprehen të revoltuar dhe kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Ata kanë paralajmëruar se në fillim të javës do të protestojnë përpara kopshtit, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkim për përgjegjësit.