Një reportazh i BBC ka zbuluar se rrugët e vjetra të trafikimit të emigrantëve ilegalë nga Franca drejt Anglisë, përmes jahteve private dhe porteve të vegjël detarë, vazhdojnë të përdoren edhe sot.
Në qendër të këtij reportazhi është një ish-ushtarak britanik, i cili më pas u përfshi në rrjetin e trafikimit. Ai tregon se shumica e emigrantëve që ka transportuar ishin vietnamezë dhe shqiptarë. Trafikimi bëhej përmes jahteve që ndalonin në marina të vogla, të cilat, sipas tij, nuk kanë më shumë siguri se kampingjet për makina.
Ai shpjegon se emigrantët fshiheshin fillimisht në makina që hipnin në tragete nga Franca dhe më pas kalonin në maune apo kamionë të parkuar në pjesën e poshtme të anijeve, për të hyrë pa u kapur në Britani.
Ish-ushtaraku, i cili është dënuar për këtë aktivitet, thotë se është i zhgënjyer që është dënuar ndërkohë që të tjerë përdorin ende të njëjtat metoda. Ai tregon se shumica e shqiptarëve që ka ndihmuar nuk kishin qëllim të kërkonin azil, por të jetonin e punonin në të zezë, shpesh në shtëpi ku rritet kanabis.
Ai shton se disa nga këta emigrantë ishin deportuar më parë, por kishin hyrë sërish në Britani. Ndërkohë, kalimet me gomone nëpër Kanalin Anglez janë mbi 13 mijë persona këtë vit dhe pritet që ky numër të rritet edhe më shumë.